Zv.ndihmës sekretari dhe përfaqësuesi special për Ballkanin Perëndimor i SHBA-ve, Matthew Palmer ka zhvilluar një seancë dëgjimor në komitetin për marrëdhëniet me jashtë të senatit amerikan, para se ky i fundit të diskutojë për Ballkanin Perëndimor.
Në dokumentin e publikuar nga vetë ky komitet Palmer ka folur mbi zhgënjimin nga dështimi i BE për çeljen e negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, u kujtuar zyrtarëve evropianë angazhimet që kanë marrë por dhe një rrugë të qartë për këto vende, që të arrijnë të marrin një rezultat pozitiv para samitit të Zagrebit.
“Jemi të zhgënjyer thellësisht nga dështimi i vendeve anëtare të BE për të miratuar çeljen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë javën e shkuar në Bruksel. Edhe pse nuk jemi anëtarë të BE-së, ne jemi dakord me vlerësimin e Komisionit Evropian më 29 maj se të dy vendet kanë bërë progres të rëndësishëm të reformave, duke përmbushur kushtet e Këshillit Evropian dhe duke krijuar një themel të fortë për të vijuar reformat gjatë hapjes dhe mbylljes së kapitujve të Acquis.
Mosveprimi i Këshillit Evropian javën e kaluar rrezikon besueshmërinë e BE-së jo vetëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, por në të gjithë Europën dhe botën. Duke mos i njohur në mënyrë të qartë arritjet e bëra nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria dhe duke vazhduar të pengojë përparimin e tyre në procesin e zgjerimit, Këshilli Evropian dërgon një sinjal negativ për aspirantë të tjerë se dera e Evropës është e ndaluar. Gjithashtu dobëson argumentet që pohojnë dobishmërinë e reformave të vështira dhe bërjen e kompromiseve të guximshme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rajonale dhe promovimin e paqes dhe zhvillimit demokratik. Më në fund, krijon një boshllëk udhëheqësie që Rusia, Kina dhe të tjerët janë të lumtur ta plotësojnë. Ne i kujtojmë BE-së dhe vendeve anëtare deklaratat e tyre në Selanik në 2003 dhe Sofje në 2018, që ekziston një “perspektivë evropiane” e qartë që të gjashtë vendet aspirante të Ballkanit Perëndimor të anëtarësohen në BE, bazuar në kriteret e vendosura. Vendet anëtare të BE duhet të përshkruajnë qartë reformat reale dhe të prekshme që Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria mund të arrijnë në një afat të shkurtër që do të çojë në një rezultat pozitiv përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor në maj 2020 në Zagreb”, ka thënë Palmer përpara anëtarëve të këtij komiteti.
Duke u ndalur tek Shqipëria, Palmer vlerëson se janë bërë hapa të jashtëzakonshme duke zbatuar reforma gjyqësore të papara për të çrrënjosur korrupsionin endemik. “Reformat kërkuan verifikimin e 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme, lidhje me krimin e organizuar dhe kompetencat. Vetëm 43% e 143 juristëve të verifikuar deri tani kanë kaluar, duke konfirmuar korrupsionin e thellë të sistemit të drejtësisë dhe lidhjet me krimin e organizuar. Shqipëria gjithashtu themeloi dy organe të reja të mbikëqyrjes gjyqësore, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, për të emëruar, qeverisur dhe disiplinuar gjyqtarët dhe prokurorët; një pikë referimi kryesore kjo në zbatimin e reformës në drejtësi. Vendi tani është në prag të krijimit të një zyre të re të pavarur të Prokurorisë Speciale Antikorrupsion, SPAK, dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), detyra e së cilës do të jetë hetimi i korrupsionit, krimit të organizuar dhe krimeve të zyrtarëve të lartë. Shqipëria ka ndërmarrë hapa për të goditur bosët e mëparshëm të paprekshëm të krimit të organizuar, siç dëshmohet dënimi i Bosit të drogës me profil të lartë, Klement Balili dhe bosit famëkeq të krimit, Emiljano Shullazi”, ka vijuar Palmer.