Disa rajone në veri dhe jug të Brazilit janë goditur nga përmbytjet katastrofike të shkaktuara nga reshjet e dendura të shiut ditët e fundit, shkruan BBC. Mijëra njerëz u zhvendosën për shkak të përmbytjeve dhe të paktën tre vdekje u konfirmuan. Dhjetëra konsiderohen të zhdukur.
Pamjet me dron tregojnë vendbanimin e përmbytur në Canelinha në jug të vendit dhe të gjitha dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet. Edhe disa rrugë janë të përmbytura, gjë që ka shkaktuar ndërprerje të qarkullimit. Ekipet e shpëtimit përdorin varka për të ofruar ndihmë për popullatën. Skena të ngjashme janë regjistruar edhe në periferi të Florianopolis, ku edhe zjarrfikësit po ndihmojnë banorët.