Papa Françesku nuk mori pjesë në procesionin tradicional gjatë se premtes së madhe para Pashkëve Katolike. Kreu i Selisë së Shenjtë, drejton çdo vit, atë që njihet si Rruga e Kryqit dhe që përkujton vuajtjet e Jezus Krishtit në ditën e Kryqëzimit.
Por mes temperaturave të ulëta që kanë përfshirë Italinë, dhe për shkak të një bronshiti që e çoi në spital pak ditë më parë, Papa vendosi të ndjekë nga shtëpia Santa Maria, procesionin në Koloseum, ku morën pjesë rreth 20 mijë vetë. Kjo është hera e parë që prej 2013-s, që Papa mungon në Rrugën e Kryqit.
Megjithatë më herët gjatë së premtes ai drejtoi një shërbesë lutjeje prej dy orësh në Bazilikën e Shën Pjetrit. Numri një i Vatikanit zgjodhi të vendosë nën të njëjtin kryq, ukrainas dhe rus. Vitin e kaluar, një zgjedhje e tillë, nxiti valë polemikash deri në thirrjen e ambasadorit të Selisë së Shenjtë nga ana e qeverisë së Kievit.