Inspektorati Shtetëror i Mbikqyrjes së Tregut ka nisur monitorimin e sigurisë konsumatore në produktet që nuk përmbushin standardet në treg dhe që janë të dëmshme për shëndetin.
ISHMT paralajmëron për një lloj filxhani me fibra bambuje që pas kontrollit rezultonte me nivel të lartë të melaminës, mbi normën e lejuar çka përbënte rrezik serioz për shëndetin.
Njoftimi i kategorisë ALERT ndërkombëtar , në portalin RASFF (RAPID ALERT SYSTEM FOR FOOD AND FEED) me numër notifikimi 394243, për produkt “Filxhan me fibra bambuje”, të cilët pas kontrollit laboratorik të kryer nga ana e autoriteteve të ushqimit, Qipro, ka rezultuar se paraqet nivel të lartë të migrimit të melaminës mbi normën e lejuar, duke paraqitur risk serioz me ndikim në shëndetin e njeriut.”- njofton ISHMT, i cili shton se tashmë është ndaluar shitja e këtij produkti.
PËRSHKRIMI I PRODUKTIT:
Emri i produktit: FILXHAN ME FIBRA BAMBUJE
Emri i produktit në etiketë: BAMBOO FIBER MUG
Numri i artikullit: ZF-004M
Pamja e jashtme e produktit: 8.5 cm, 450 ml
Kategoria e produktit: MATERIAL NË KONTAKT ME USHQIMIN
Barkodi: 0491316000035

“Konsumatorët që kanë blerë këtë produkt nuk duhet ta përdorin pasi është i rrezikshëm dhe ta kthejnë pranë pikës së shitjes ku e kanë blerë. “-njofton më tej ISHMT.
Inspektoriati thekson se ka ndërmarrë një fushatë të rëndësishme në kuadër të garantimit të cilësisë dhe evidentimit e heqjes nga tregu të të gjithë produkteve pa standardin e duhur.
Sakaq, Inspektoriati njofton se kanë nisur bashkëpunimin me Doganat, me qëllimin për të identifikuar produktet jo në konformitet, me mbështetjen e projektit “Humelica”. Ky bashkëpunim ka për qëllim rritjen e efiçencës së bashkëpunimit midis dy institucioneve për të ndaluar vendosjen në treg të produkteve jo të sigurta, që nuk plotësojnë kriteret ligjore të detyrueshme sipas Legjislacionit në fuqi./ Monitor
