Avokati Çedomir Stojkoviç pretendon se Serbia është kapur nga Rusia.
Këtë deklaratë, Stojkoviç e bëri gjatë një prononcimi në “Euronews Albania”. Sipas tij, mjafton vetëm një shkëndijë për t’u ndezur zjarri në Ballkan dhe sipas tij, Rusia mund ta bëjë këtë përmes Serbisë.
“Askush nuk e njihte influencën ruse më parë në Serbi, por tani liderët botërorë po thonë atë që kam thënë unë shumë vite më parë. Shqetësimet janë shumë të vërteta, pasi Rusia ka depërtuar në Kishën Serbe, e ka pushtuar atë, ka depërtuar në partitë politike, si te ato në pushtet, ashtu edhe te ato në opozitë. Ka kryer akte korrupsioni të mëdha në Serbi. Monumentet më të rëndësishme të Serbisë, po bëhen me anë të Rusisë, e cila fut njerëzit e saj në çdo sektor. Ajo kontrollon mendjet dhe zemrat e njerëzve. Është shumë e thjeshtë për të kontrolluar mediat dhe institucionet, nëse kontrollon mendjet e njerëzve. Mjafton një shkëndijë për t’u ndezur zjarri në Ballkan. Po të marrim shembullin e Lindjes së Mesme, u deshën disa idiotë që të bënin pak rrëmujë që të niste konflikti.”