Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se për ditën e shtunë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të paqëndrueshme atmosferike si rezultat i masave ajrore të ftohta me origjinë polare.
Moti do të jetë me vranësira mesatare dhe të dendura të cilat do të pasohen me reshje të herëpashershme shiu që në orët e para të mëngjesit, me intensitet mesatar dhe lokalisht të lartë. Reshjet do të jenë në formën e rrebesheve të shpejta dhe stuhive të cilat në intervale të shkurtra kohore do të shfaqen problematike. Në relievet malore në lindje të vendit si dhe në Alpe parashikohen reshje dëbore më intensitet të ulët dhe mesatar.
Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare 2– 9m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare era do të jetë intensive në formën e tufanit dhe relativisht problematike me shpejtësi deri në 13– 25m/s, duke bërë që valëzimi në dete të jetë i forcës 2-5 ballë.