Kohëve të fundit janë bërë disa kërkime në rajonin e Rashkës në Serbi, pasi dyshohet se aty mund të jenë fshehur mbetjet mortore të disa viktimave të luftës në Kosovë .
Udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, ka deklaruar se janë gjetur disa mbetje të personave të vdekur në Kizhevak.
Gjatë një interviste për KosovaPress, ai ka thënë se pasi kanë marrë informacione në lidhje me mbetjet mortore në këtë zonë janë nisur për të vazhduar kërkimet.
“Ju konfirmojmë se jemi njoftuar që është hasur në mbetje mortore në lokacionin në Kizhevak, në lokacionin që është duke u punuar në kuptimin e gërmimit vlerësues nga viti 2015. Dy ekspertë të Republikës së Kosovës tani janë të pranishëm në lokacion, po ashtu si delegacion jemi rrugës dhe besoj se pas pak do të jemi në lokacion. Hollësitë tjera do të konfirmohen në ditët në vijim”, është shprehur Gara.
Lajmin e ka konfirmuar edhe përfaqësuesi i Shoqatës së Familjarëve të Personave të Pagjetur, Bajram Qerkini.
“Na kanë njoftuar se gjatë punës me ekskavator në Kizhevak të Rashkës, kanë hasur në eshtra. Tani duhet të ndryshojë mënyra e gërmimit, pra të mos përdoret ekskavatori. Pas 5 vitesh gërmimesh tek tani u gjetën eshtra, ndërkohë që atje janë dërguar njerëz me kamion”, ka thënë Qerkini.
Prej 5 vitesh vitesh po zhvillohen gërmime në Rashkë të Serbisë, por vetëm sot u arrit që të gjendeshin disa eshtra.
