Gazetari investigativ, Artan Hoxha ka mbërritur në Belgjikë për të dëshmuar po sot në Prokurorinë vendase lidhur me dosjen “Toyota Yaris”. Lajmin e ka dhënë vetë ai duke publikuar edhe fletëthirrjen që ka marrë nga Prokuroria e Belgjikës. Duke nxjerrë edhe pamje nga udhëtimi, gazetari investigativ shkruan me ironi: Me pyetjen “trego shokët”, jam në dilemë, por do e gjejmë një zgjidhje…
Ndërsa më herët në një intervistë, Artan Hoxha bëri me dije se do shkonte vetë në Bruksel, pasi tashmë autoritetet belge e kanë humbur besimin te autoritetet shqiptare.
Dosja e 3,4 milionë eurove “cash” të kapura në Portin e Durrësit në qershor 2018, brenda dy automjete që vinin nga Belgjika u kthye në një betejë mes palëve politike. Ishte kryedemokrati Lulzim Basha ai që denoncoi paratë në Kuvend, pak ditë para se të kapeshin duke akuzuar kreun e Grupit të Partisë Socialiste Taulant Balla si të përfshirë në këtë çështje.
Akuzat, socialisti i cilësoi si shpifje duke ngritur padi ndaj tij për shpifje dhe dekonspirim të operacionit. Pikërisht kjo deklaratë ndryshoi planet e operacionit kriminal të Alfred dhe Elvis Vladit, dy të akuzuar për dosjen. Makinat supozoheshin të niseshin nga porti Ankonës por devijuan rrugën dhe u nisën nga porti i Barit.
Në shkurt të këtij viti, belgët erdhën në Shqipëri dhe pritën për dy orë e 20 minuta ishkryedemokratin Lulzim Basha, i cili u mor në pyetje nën cilësinë e personit në dijeni. Në qendër të hetimeve është edhe një grup kriminal që merret me trafikimin e lëndëve narkotike dhe pastron para me ndihmën e disa zyrtarëve, por ende nuk janë zbardhur detaje apo emra të personave të përfshirë.
I vetmi person që u dënua për dosjen ‘Toyota Yaris’ ishte Elvis Vladi. Por edhe këtij të fundit iu dha vetëm një vit e gjysmë burg për veprën penale të mosdeklarimit të parave në kufi, duke sfumuar akuzën fillestare “pastrim parash në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”. Vladi përfitoi nga gjykimi i shkurtuar dhe do të qëndrojë vetëm 1 muaj në qeli, duke nisur nga data 19 tetor e vitit të kaluar, ditë kur iu dha dënimi. Për të njëjtën çështje është dënuar me 2 vite e 4 muaj burg edhe Agim Ceka i cili u gjykua për veprën penale “armëmbajtje pa leje”. Çeka ishte shoferi i kamionit.
