Policia ka gjetur një trup të pajetë në zonën mes Tiranës dhe Elbasanit, ndërsa hetimet paraprake po verifikojnë nëse bëhet fjalë për 34-vjeçarin Eglant Koçi, i cili rezultonte i zhdukur prej rreth dy javësh.
Sipas burimeve paraprake, autoritetet dyshojnë se ngjarja mund të lidhet me një vrasje, ndërsa si person i dyshuar për krimin është shpallur në kërkim 41-vjeçari Armand Shakaj.
Pas kallëzimit të familjarëve më 4 qershor për zhdukjen e Eglant Koçit, Shakaj u shoqërua dhe u mor në pyetje nga policia, por më pas u la i lirë. Megjithatë, sjellja e tij gjatë hetimeve ka ngritur dyshime te grupi hetimor, duke e bërë atë person me interes për çështjen.
41-vjeçari vijon të jetë në kërkim, ndërsa autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe identifikimin zyrtar të trupit të gjetur.
Me sekuestrimin e kamerave të sigurisë ka rezultuar se Koçi për herë të fundit është parë në lokalin e mikut të tij dhe nuk ka dalë më. I pranishëm në vendin e ngjarjes ka qenë dhe Enea Zyferi që punonte kamarier ky i fundit dyshohet të këtë ndihmuar autorin e krimit duke fikur dritat, edhe pse ai nuk ka pranon fajësinë në këtë ngjarje. Megjithatë në pamjet që janë administruar shikohet Shakaj duke tërhequr dhe futur në automjet 34-vjeçarin për ta larguar më pas.
Për të zhdukur gjurmët ai ka marrë motorin e Eglant Koçit dhe e ka dërguar në zonën e “5 Majit” më pas ai është kthyer në këmbë. Motori u gjend me 6 qershor dy ditë pas zhdukjes së 34-vjeçarit.
