Të shijosh çdo gjë dhe të mos ndihemi në faj pas festave. Kjo është ajo që mendojmë gjithmonë kur kemi një tavolinë të bollshme, ëmbëlsira dhe alkool. Festat lënë pas kilet e shtuara. Sipas nutricionistëve ata që abuzojnë mund të shtojnë deri në 3 kg gjatë këtyre ditëve, por ata nuk duhet të shqetësohen pasi ato mund të hiqen shumë shpejt.
“Nëse i bëjmë shumë të gjata festat dhe nëse kemi shumë ditë të gjata me alkool, rrezikojmë të marrim 2-3 kg, edhe pas festave. Edhe nëse kemi marrë kile, e rëndësishme është t’i kthehemi një regjimi të shëndetshëm, pa eliminuar asnjë vakt. Jemi në ditë pushimi kështu që kemi mundësi që ngarkesën e ushqimit ta kompensojmë me pak aktivitet fizik, një orë, dy orë”, tha Enkeleida Ferrollari.
Kujdes duhet të tregojnë personat që kanë probleme shëndetësore kronike.
“Kryesisht personat që kanë probleme patologjike, diabeti, sëmundje kardiovaskulare, problemet me yndyrna të larta në gjak. Një ushqim i ngarkuar me sheqerna dhe me yndyrna ndikon negativisht dhe rëndon pasojat në shëndet”, shtoi nutricionistja.
Aktiviteti fizik i shoqëruar me ushqimin e kujdesshëm dhe konsumimin e sa më shumë ujë dhe lëngje, është këshilla që dietologët japin për një trup perfekt.