Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV), ka urdhëruar tërheqjen nga tregu të të gjitha llojeve të produkteve të markës “Wudy”.
AUV ka ftuar qytetarët që të kenë kujdes dhe të mos konsumojnë produktet e kësaj marke, për shkak se dyshohet se në to prani të një lloj bakteri.
“AUV menjëherë pas marrjes së informatës nga media se në produktet e prodhuesit AIA brendi ‘Wudy’, vendi i origjinës Itali, dyshohet për prani të bakterit Listeria në disa llote prodhimi, ka filluar gjurmimin për identifikimin e të gjitha llojeve të produktit të importuar në Kosovë nga ky prodhues”, thuhet në përgjigjen e AUV-it dërguar Radios Evropa e Lirë.
Kujtojmë se këtë mëngjes (21 shtator) Autoriteti Kombëtar i Ushqimit në Shqipëri njoftoi për konstatimin e një bakteri të rrezikshëm në disa prodhime të markës së salçiçeve Wudy që shiten në Shqipëri.
Bëhet fjalë për bakterin “Listeria monocytogenes”, i cili nëse futet në sistemin tretës mund të shkaktojë një mori problemesh.
AKU theksoi se gjithçka ka ndodhur pas një njoftimi nga sistemi RASSF i Bashkimit Europian në lidhje me sigurinë ushqimore.