Avokati i kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, Plarent Ndreca, ka dorëzuar në Gjykatën e Lartë një kërkesë për përshpejtimin e shqyrtimit të çështjes, pas zbardhjes së vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila i ka lënë detyra kësaj gjykate për vijimin e procedurës.
Në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, mbrojtja argumenton se çdo vonesë në rigjykimin e çështjes sjell pasoja të drejtpërdrejta jo vetëm për lirinë personale të Erion Veliajt, por edhe për ushtrimin e mandatit të tij si kryetar i Bashkisë së Tiranës.
Avokati Ndreca kërkon gjithashtu që Gjykata e Lartë të vlerësojë nëse masa e sigurisë “arrest në burg” vijon të jetë e domosdoshme dhe proporcionale, si dhe nëse gjatë shqyrtimit të çështjes janë analizuar realisht masat alternative të sigurimit.
Një tjetër kërkesë e mbrojtjes lidhet me mënyrën e paraqitjes së Veliajt në seancat gjyqësore. Sipas avokatit, Gjykata e Lartë duhet të shqyrtojë nëse mbajtja e tij në kafazin prej xhami gjatë seancave cenon dinjitetin njerëzor, prezumimin e pafajësisë dhe të drejtën për një mbrojtje efektive.
