Partia Demokratike ka reaguar pas deklaratës së Ministres së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.
Për transparencën e situatës, PD i ka kërkuar kryeministrit Rama që të publikojë kontratën e blerjes së pajsjeve mjekësore.
PD thotë se në vend që Ministria të sqarojë për blerjen me dyfish çmimin e tregut të pajisjeve mjekësore anti-COVID, sulmon opozitën.
Teksa theksohet në deklaratë se qytetarët nuk duan të dëgjojnë akuza dhe sulme banale politike, i ka adresuar katër pyetje qeverisë.
Reagimi i PD:
Sa herë kapet në vjedhje, në vend të transparencës, qeveria sulmon opozitën. Ministria e Shëndetësisë nuk jep asnjë shpjegim për blerjen me dyfish çmimin e tregut të pajisjeve mjekësore anti-COVID.
Nuk është koha e sulmeve bajate politike, qeveria duhet të japë përgjigje konkrete me një Po ose një Jo të thjeshtë.
A bleu qeveria 178 mijë maska me 8 mijë lekë copën, kur në farmaci ato kushtojnë 4 mijë lekë?
A bleu qeveria veshje spitalore me 28 euro, kur në treg kushtojnë gati 3 herë më pak, 9.6 euro?
A bleu qeveria, mbrojtëse për sytë me dyfishin e çmimit të tregut, nga 2.9 euro i bleu me 6 euro copën?
A i bleu qeveria edhe maskat spitalore me çmime të dyfishuara, nga 3.8 euro që janë në treg me 8 euro?
Qytetarët presin përgjigje për këto pyetje. Ata nuk duan të degjojnë akuza dhe sulme banale politike, por kërkojnë të vërtetën e kontratave që qeveria i ka klasifikuar si sekret shtetëror. Në vend të fjalëve boshe, Edi Rama duhet të bëjë diçka fare të thjeshtë: të publikojë kontratën e blerjes së këtyre materialeve! Pastaj qytetarët gjykojnë vetë kush thotë të vërtetën dhe kush vjedh!
