Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka vijuar edhe të hënën aksionin para objektit të Qeverisë së Kosovës, duke bllokuar hyrjen në shenjë proteste ndaj mosvazhdimit të seancës konstituive të Kuvendit.
PDK-ja ka paralajmëruar se do t’i dërgojë sërish një letër kryesuesit të seancës konstituive, Avni Dehari, me kërkesën që të thërrasë vazhdimin e seancës.
Deputetja e PDK-së, Eliza Hoxha, tha se qëllimi i aksionit është t’i kërkohet kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, të rikthehet në Kuvend dhe të kontribuojë në konstituimin e tij.
“Jam këtu bashkë me krejt kolegët e mi nga Partia Demokratike e Kosovës për të bërë një pyetje të vetme për deputetin Kurti, i cili ka uzurpuar pozitën e kryeministrit bashkë me ministrat e tij”, deklaroi Hoxha.
Sipas saj, Kurti dhe ministrat e tij po qëndrojnë në detyrë në mënyrë të paligjshme që prej certifikimit të rezultateve, ndërsa aksioni i PDK-së synon të pengojë hyrjen e tij në zyrat e kryeministrisë.
Hoxha i bëri thirrje Kurtit që, në vend të bllokimit të punës së Kuvendit, të marrë pjesë në seancën konstituive dhe të propozojë kandidatin për kryetar të Kuvendit.
PDK-ja e konsideron zhbllokimin e procesit të konstituimit të Kuvendit si një nga çështjet kryesore politike në vend, ndërsa aksioni para Qeverisë pritet të vijojë edhe në ditët në vazhdim.
