Ka përfunduar afati i fundit i vënë nga pedagogët për qeverinë shqiptare për rritjen e pagave dhe disa kërkesave të tjera.
Kreu i sindikatës së pedagogëve, Sandër Kovaçi paralajmëroi se nuk do të tërhiqen nga vendimi për t’u futur në grevë urie. Po ashtu, Kovaçi shtoi se ata i janë drejtuar Presidentit të vendit dhe institucioneve të rendit që t’u garantojnë jetën, por pa dhënë detaje se çfarë dhe kush i ka kërcënuar pedagogët.
“Në pamundësi të marrjes së një përgjigje nga kabineti qeverisës, Sindikata i drejtohet Presidentit dhe institucioneve të rendit e sigurisë, si dhe faktorit ndërkombëtar, me kërkesën për garantimin e jetës së pedagogëve që do të hyjnë në grevë urie. Nëse kjo garanci jepet brenda 3 minutave, tre orëve apo tre ditëve, 30 pedagogë hyjnë menjëherë në grevë urie”, u shpreh Kovaçi.
Nga ana tjetër, pedagogia Enkelejda Olldashi, e cila tha kërkojnë garanci për jetën sepse nuk dihet se çfarë mund të ndodhë në ambientet e brendshme të Politeknikut ku ata do të mbajnë grevën.
“Ne duam garanci që brenda grevës të garantohet jeta. Ne kërkojmë garanci ndërkombëtare. Të bëjmë një grevë dinjitoze, jo një grevë që na intimidohet”, tha Enkelejda Olldashi.