Anija shqiptare “Butrinti”, që është angazhuar në operacionet e përbashkëta me forcat greke dhe turke në Egje, ka asistuar në shpëtimin e 52 emigrantëve nga Lindja. Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, shkruan se ky operacion i suksesshëm tregon rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit mes vendeve në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të njerëzve.
“Një tjetër histori suksesi nga efektivët tanë të anijes “Butrinti”! 52 emigrantë nga Sudani dhe Jemeni u shpëtuan nga një gomone në rrezik në brigjet turke, falë bashkëpunimit mes Rojës Bregdetare greke dhe asaj turke.
Ky operacion i suksesshëm tregon rëndësinë e bashkëpunimit dhe koordinimit mes vendeve në luftën kundër emigracionit të paligjshëm dhe trafikut të njerëzve.
Krenarë që efektivët tanë, pjesë e misionit SNMG2 TU 01, vazhdojnë të bëjnë një punë të jashtëzakonshme dhe të jenë shembulli më i mirë i përkushtimit dhe sakrificës”, shkruan ai.