Pas investimeve të kryera gjatë këtyre viteve tani është radha që turizmi, bujqësia, agro-përpunimi dhe teknologjia të jenë katër drejtimet mbi të cilat do ta mbështesim punën në katër vitet e ardhshme, kështu është shprehur drejtuesi politik i qarkut Korçë Niko Peleshi në takimin e zhvilluar me banorët e lagjes 1 të qytetit. Kandidati për deputet i qarkut të Korçës theksoi më tej se 4 vitet e mandatit të tretë do të jenë vitet e ekonomisë, punësimit dhe shanseve të mëdha.
“Kemi bërë shumë punë këto vite padyshim. Janë qindra shërbime që tashmë mund të merren nga telefoni pa shkuar në sportele duke lehtësuar punën. Në zemrën e qytetit duam të fusim të rinjtë edhe për simbolikë, prandaj po ndërtojmë atje qendrën teknologjike, nga ku do të dalin qindra edhe mijëra të rinj me disa zanate që mund të punësohen përmes teknologjisë kudo në botë pa lëvizur nga Korça. Janë rreth 100 të rinj që kanë hyrë në këtë sektor, pas katër vitesh do të jenë mijëra. Turizëm, bujqësi, agro-përpunim dhe teknologji janë katër drejtimet mbi të cilat do ta mbështesim punën në katër vitet e ardhshme, që do të jenë vitet e ekonomisë, punësimit dhe shanseve të mëdha.” – u shpreh Peleshi
Nga ana tjetër Peleshi është shprehur se kundërshtarët e tyre politikë nuk kanë ndryshuar as formë as përmbajtje duke zbatuar politika të padrejta që nuk përfaqësojnë qytetarët. “Kundërshtarët tanë nuk kanë ndryshuar, janë të njëjtët. Nuk kanë ndryshuar as në formë as në përmbajtje. Na sjellin këtu kandidatë, mbase në moshë të re por që janë më të vjetër se më të vjetrit me gjuhën politike të politikës së vjetër, të përçarjes dhe shpifjes. Ne nuk merremi me ta por me politikat e padrejta të tyre, ndërsa ata merren personalisht me secilin prej nesh dhe me secilin prej jush.”- theksoi Niko Peleshi