“Projekti i Partisë Socialiste përgjatë mandatit të tretë është rritja e pensioneve dhe e pagave minimale për të ndikuar direkt tek ekonomia familjare”- ky ka qënë premtimi që drejtuesi politik i qarkut të Korçës Niko Peleshi ka bërë gjatë takimit me banorët e lagjes 4 dhe 14 të qytetit.
Në fjalën e tij kandidati për deputet i Partisë Socialiste u ndal tek projektet të cilat do të kenë impakt të menjëhershëm tek mirëqënia dhe punësimi, ndërsa nuk la pa përmendur edhe projektin madhor të ngrohjes së qytetit me gaz si një mundësi e mirë për të ulur kostot dhe për të rritur ekonominë familjare.
“Korça është bërë një qytet i jetueshëm, madje më i jetueshmi në Shqipëri do të thoja unë. Korça sot është qyteti më i vizitueshëm në Shqipëri nga vizitorë vendas dhe të huaj. Në Korçë ka lindur një sektor i ri ekonomik që është turizmi që më herët nuk ka qënë një sektor i qëndrueshëm. Na duhet tani një pjesë tjetër të rrugës ta bëjmë bashkë me rritëm më të lartë për të zgjidhur atë që është më e rëndësishme që mund ta quajmë mirëqënie, ekonomi apo punësim që ka lidhje me rritjen e të ardhurave në çdo familje. Ne duam që pas katër vitesh që kur të nisim mandatin e tretë në 25 prill, të flasim për pension më të lartë, pagë minimale më të lartë, të paguajmë më pak taksa në çdo biznes siç kemi filluar tani regjimin 0 taksë për biznesin e vogël. Kemi gjithashtu një projekt madhor që lidhet drejpërdrejt me ekonominë me kushtet e jetesës, sepse ul kostot. Këtu e kam fjalën për projektin e ngrohjes së qytetit. Sot kemi një fat që një projekt ndërkombëtar si gazsjellësi TAP kalon mes për mes bashkisë sonë, e kemi këtu në nëntokën tonë. Tani duhet të bëjmë projektin e shtrirjes së tubove nga gazsjellësi në çdo familje për ta përdorur për gatim dhe ngrohje. Sot është dita të ngrihemi mbi mërzitjen dhe të investojmë për të ardhmen. 25 prilli është dita për të votuar Partinë Socialiste, për të votuar të ardhmen tonë, të ardhmen e Korçës, të ardhmen e Shqipërisë.”-përfundoi fjalën e tij Niko Peleshi.