Një pensionist ukrainas qëlloi një avion rus Su-34 me pushkë, duke bërë që mjeti fluturues të bjerë në tokë, lajmëroi një agjenci qeveritare. Valeriy Fedorovych hapi zjarr, kur avioni armik ishte duke fluturuar në Chernhiv, sipas Shërbimit Shtetëror Kufitar të Ukrainës.
Pretendohet se ai e rrëzoi avionin me vlerë 90 mln dollarë duke e qëlluar vetëm me pushkën e tij. Pamjet e shpërndara nga Daily Mail tregojnë Fedorovych duke ecur me një pushkë të vendosur mbi supe nëpër qytetin e shkatërruar kryesisht nga bombardimet ruse.
Ai mori disa nga mbeturinat e avionit të ‘shpërthyer’ dhe e mban në garazhin e tij. Veprimi i pensionistit është një nga historitë e shumta të trimërisë së jashtëzakonshme nga civilët ukrainas përballë pushtimit rus të Ukrainës. Forcat e avancuara ukrainase ngritën në mënyrë sfiduese flamurin e tyre mbi një fshat të rimarrë në Kherson, ndërsa kundërofensiva e tyre e guximshme vazhdon të shtyjë trupat pushtuese.
Pamjet tregojnë tre ushtarët duke ngritur flamurin kombëtar blu dhe të verdhë në një simbol të rezistencës mbi pllakat e çatisë së Vysokopillya. Marrja e fshatit do të shënonte një fitim të prekshëm territorial në një kundërofensivë që filloi javën e kaluar dhe që synon rimarrjen nën kontroll nga vendasit të jugut të vendit.
Një fokus kryesor i përpjekjeve të reja ushtarake është rajoni Kherson, i cili u kap nga forcat ruse në fillim të konfliktit aktual. Kherson është në veri të gadishullit të Krimesë, të cilin Moska e pushtoi dhe e aneksoi në shkurt dhe mars 2014.
Në fjalimin e natës të së dielës, Volodymyr Zelensky falënderoi forcat e tij për marrjen e dy vendbanimeve në jug dhe një të trete, së bashku me territore shtesë, në lindje, duke cituar ‘raporte të mira’ nga komandantët e tij ushtarakë dhe kreu i inteligjencës.
Pas granatimeve intensive të forcave ukrainase ndaj grupeve të trupave ruse në rajon, rusët kanë ndaluar lëvizjen e banorëve, duke mos i lejuar ata të kalojnë lumin Dnipro, tha të hënën Shtabi i Përgjithshëm ukrainas.
Rusia ka nisur 25 sulme raketore dhe më shumë se 22 sulme ajrore, në objektiva ushtarake dhe civile në Ukrainë në 24 orët e fundit, thuhet më tej në deklaratë, duke mbajtur fokusin e saj në vendosjen e kontrollit të plotë mbi rajonin e Donetskut.
Autoritetet ruse thanë se situata ishte e qetë rreth centralit bërthamor të pushtuar nga Rusia në Ukrainën jugore, pasi inspektorët e OKB-së thanë të shtunën se centrali kishte humbur sërish fuqinë e jashtme.
Tre shpërthime të forta u dëgjuan në Energodar, qyteti i bllokuar nga shtetrrethimi ku ndodhet uzina, por nuk kishte detaje të menjëhershme për dëmet dhe viktimat, tha të hënën agjencia zyrtare ruse e lajmeve TASS.
Trupat ukrainase bënë dy përpjekje për të vendosur ekipe sulmi në afërsi të qytetit, tha ai, duke shtuar se ata po përdornin drone, artileri të rëndë dhe sisteme raketash.