Një zyrtar i Pentagonit i tha Kongresit se Shtetet e Bashkuara po shqyrtojnë të zgjerojnë shitjet e avionëve luftarakë F-35 të prodhuara nga Lockheed Martin Corp, në pesë vende të reja duke përfshirë Rumaninë, Greqinë dhe Poloninë, ndërsa aleatët evropianë po shtojnë mbrojtjen e tyre përballë një Rusie të fuqizuar.
Në dëshminë me shkrim të paraqitur në Dhomën e Përfaqësuesve dhe që u pa nga agjencia Reuters, nën-admirali Mathias Winter – kreu i zyrës së Pentagonit për avionët F-35 – tha se “klientët e ardhshëm potencialë të shitjeve ushtarake jashtë përfshijnë Singaporin, Greqinë, Rumaninë, Spanjën dhe Poloninë”.
Lajmet për klientët e rinj të mundshëm përkojnë me tensionin e SHBA-së me Turqinë për avionët F-35 lidhur me planet e Ankarasë për të blerë një sistem mbrojtës të raketave ruse.
Shitjet e huaja ushtarake si ato të avionëve F-35 konsiderohen marrëveshje mes qeverive ku Pentagoni vepron si ndërmjetës midis kontraktorit të mbrojtjes dhe një qeverie të huaj. Nga ana tjetër, Shqipëria nuk ka as edhe një avion të vetëm, me shpresë se do ta mbrojnë aleatët hapësirën e saj ajrore.
Vende të tjera që konsiderojnë avionin F-35
Aleatë të tjerë amerikanë kanë shfaqur interes në blerjen e avionit të fshehtë, të padiktueshëm nga radarët, duke përfshirë Finlandën, Zvicrën dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Në dëshminë e plotë të nën-admiralit Winter, e cila do të bëhet publike të premten, thuhet se Shtetet e Bashkuara do t’i përgjigjeshin të gjitha kërkesave zyrtare për informacion rreth avionit.
Vitin e kaluar, Belgjika ishte klienti i parë i ri për avionin F-35 në vite, duke zgjedhur atë në vend të Tyfunit të kompanisë Eurofighter për të zëvendësuar avionët e vjetëruar F-16 përmes në një marrëveshjeje prej 4 miliardë dollarësh ($ 4.55 miliardë).
Nën Presidentin Donald Trump, Shtetet e Bashkuara kanë shpalosur planin “Blini produkte Amerikane” që heq kufizimet mbi shitjet dhe inkurajon zyrtarët amerikanë të marrin një rol më të madh në rritjen e biznesit jashtë vendit për industrinë e armëve amerikane.
Në dispozicion tre modele të F-35
Lockheed, kontraktori kryesor i avionit, po zhvillon dhe ndërton tre modele të avionëve të rinj për ushtrinë amerikane dhe 10 vende të tjera që kanë nënshkruar kontrata blerjeje: Britania, Australia, Italia, Turqia, Norvegjia, Holanda, Izraeli, Japonia, Koreja e Jugut dhe Belgjika.
Shitjet e armëve të SHBA-së për qeveritë e huaja u rritën 13 për qind duke arritur në 192.3 miliardë dollarë në 30 shtator, tha Departamenti i Shtetit në nëntor.
Lockheed dorëzoi 91 avionë luftarakë F-35 në Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre gjatë vitit 2018.