Presidenti Bajram Begaj, kthen në Parlament për rishqyrtim ligjin për Shtetësinë dhe kjo është hera e parë që kreu i shtetit del kundër një ligji nga ana e qeverisë ”Rama 3”. Në arsyetimin e kreut të shtetit thuhet se ky ligj nuk është miratuar sipas kushtetutës, e cila parashikon miratimin me shumicë të cilësuar.
“Për një ligj për të cilin Kushtetuta ka parashikuar miratimin me shumicë të cilësuar, konkretisht 84 vota, këto amendamente nuk e kanë marrë numrin e kërkuar të votave dhe nuk mund të quhen të miratuara”. Sipas presidentit, në ndryshimet në ligj janë konstatuar shkelje procedurale.
“Në procesin e kontrollit kushtetues, konstatimi i shkeljeve procedurale, të cilat bien ndesh me një dispozitë kushtetuese (shkronja “b” e pikës 2 të nenit 81 të Kushtetutës) është shkak i vetëmjaftueshëm për kthimin për shqyrtim të ligjit”.
Begaj thekson se “fitimi i shtetësisë me natyralizim sipas Konventës ka kusht të detyrueshëm qëndrimin në mënyrë të ligjshme dhe të vazhdueshme për një periudhë të caktuar përpara depozitimit të aplikimit. Kohëzgjatja e periudhës së rezidencës varet nga vullneti i ligjvënësit. Konventa, nga ana e saj, kërkon vetëm që kjo kohëzgjatje të mos jetë më e madhe se dhjetë vjet”.