E premtja e kaluar gjeti Kosovën me tri sulme terroriste në veri të Republikës. Pas mesnatës së 29 nëntorit, me granatë dore të llojit M-75, u sulmua ndërtesa e komunës së Zveçanit. Nuk kaluan shumë orë e në erë u hodh kanali i ujit të Ibër-Lepencit.
Tetë persona janë arrestuar për sulmin terrorist në veri të Kosovës dhe u sekuestruan edhe një arsenal armësh e pajisjesh ushtarake.
Në orët e para të vikendit, Këshilli i Sigurisë, angazhuan trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, të patrullojnë pika të infrastrukturës kritike në lokacione të ndryshme në Kosovë. Kjo gjë po ndodh për herë të parë, ku trupat e armatosura patrullojnë në gjendje gatishmërie.
Drejtori i Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, Mentor Vrajolli, për KosovaPress tregon se kanë disa vite që po mundohen si qendër të avokojnë implementimin e Ligjit për Mbrojtje të Infrastrukturës Kritike.
Vrajolli thotë se sulmi i fundit është serioz për infrastrukturën kritike, andaj FSK do duhej patjetër të përfshihej në patrullime.
Pas vendimit të Këshillit të Sigurisë për angazhimin e FSK-së në mbështetje të autoriteteve civile, kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci kanë mbikëqyrur ditë më herët pikat statike dhe patrullat ushtarake të vendosura në Obiliq e Vushtrri.