Ish-shefi i repartit të kardiokirurgjisë, Edvin Prifti, i cili po hetohet nga SPAK, ka reaguar për herë të parë pasi Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të zgjaste hetimet me gjashtë për të. Në një status në profilin e tij në Facebook, Prifti shkruan se nuk ka qenë asnjëherë anëtar i ndonjë komisioni për vlerësim tenderash, duke iu përgjigjur dhe dyshimeve të SPAK për arsyen e zgjatjeve të hetimeve.
Prifti fton të gjithë ata që mund ta kenë gjetur apo do të gjejnë emrin dhe firmën e tij në ndonjë komision vlerësimi tenderash, që ta bëjë atë publike, duke shtuar se në Shqipëri, artikujt shkencorë dhe puna e mirë nuk mjafton që të mos përflitesh pa të drejtë.
“Artikulli me i fundit shkencor i yni i sapo publikuar ne nje nga revistat shkencore te avanguardias FRONTIERS in Cardiovascular Medicine. Komplimente gjithe autoreve. Keto artikuj dhe studime jane puna ime me te cilen krenohem une por besoj heret a vone edhe vendi im dhe jo tenderat sikurse po lexoj ne media. Une skam qene kurre anetar i ndonje tenderi apo komisioni vleresimi tenderash. Nese dikush gjen emrin dhe firmen time ne ndonje komision te vleresimit te ofertave te tenderave do ti lutesha ta bente publike. Kjo pasi kam refuzuar gjithmone te jem pjese e tenderave. Nderkohe, ne kemi rritur nga 400 ne mese 900 operacione ne vit sherbimin e kardiokirurgjise ne QSUT me te njejten sasi financimi. Kjo do minimizonte qe njerezit te operohen jashte vendit dhe ne struktura private ku do ju duhej te shpenzonin. Mesa duket vetem kjo nuk mjafton per te mos u perfolur pa te drejte!”- shkruan Prifti në Facebook.
SPAK zgjati me gjashtë muaj hetimet për mjekun Prifti, pasi siç thuhej në njoftimin zyrtar, hetimet janë shtrirë edhe në drejtim të disa procedurave të prokurimit të realizuara nga QSUT.
Kardiokirurgu është nën hetim prej muajsh, për korrupsion e pastrim parash, pasi ra në “rrjetën” e përgjimeve teksa prokuroria hetonte rastet e korrupsionit në gjykatën e Krujës, operacion gjatë të cilit u vu në pranga gjyqtarja Enkeleida Hoxha. Sekretarja e këtij institucioni fliste për ryshfet për operacionin e nënës së saj dhe për para që do t’i jepte Priftit. Për këtë arsye, mjeku u pezullua fillimisht nga detyra dhe më pas u vu në pranga.
Gjetja e më shumë se gjysmë milioni euro në shtëpi e zyr, kqyrja e telefonit dhe e lap-topit i bëri prokurorët e SPAK që të zgjeronin hetimet dhe të ngrinin dyshimet për përfshirjen e mjekut në të tjera veprimtari të dyshimta. Gjatë këtyre gjashtë muajve, pritet që SPAK të thërrasë shumë persona që të dëshmojnë, mes tyre mjekë që kanë pasur kontakte me Priftin dhe jo vetëm.