Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës me nga dy korsi në secilën anë, ku njëra do të shërbejë për emergjencat, ka arritur në masën 86%, njoftoi sot drejtori i Autoritetit Rrugor Shqiptar Ami Kozeli i cili ishte për inspektim në kantier.
Sipas tij, kanë përfunduar punimet për shtresën e binderit pothuajse në të gjithë gjatësinë e projektit.
Në nyjen e Laknasit janë kryer punimet e pilotimit, në nyjen e Kasharit janë kryer punimet për realizimin e pilotave.
Ndërkaq, po vijojnë punimet për përfundimin e ndërhyrjeve tek Ura mbi Lanë, për ndërtimin e segmentit nga mbikalimi i Kasharit deri tek Ura e Limuthit, ku kanë nisur edhe punimet për zgjerimin e trupit të rrugës.
Punimet po vijojnë sipas grafikut të punimeve, me fokus përmirësimin e infrastrukturës dhe rritjen e sigurisë rrugore.
Puna për zgjerimin e autostradës Tiranë-Durrës kanë nisur në muajin shtator 2024 dhe do ta kthejë atë nga autostradë e kategorisë “B”, në autostradë të kategorisë “A”.
Shtimi me 4 korsi jep mundësinë për shpejtësi deri në 130 km dhe e sjell në parametrat e të gjitha autostradave të reja që po ndërtohen.
Përveç zgjerimit me dy korsi, i gjithë trupi i rrugës do të ribëhet me shtresa rrugore dhe asfaltike, për shkak se tashmë kjo rrugë ka mbaruar ciklin e jetës. Rehabilitimi dhe zgjerimi i të gjithë rrugës kushton 250 milionë euro.
Zgjerimi i autostradës Tiranë-Durrës pritet të lehtësojë ndjeshëm qarkullim e automjeteve mes kryeqytetit dhe qytetit bregdetar, veçanërisht gjatë sezonit veror.
