Autoritetet greke kanë mbyllur hetimet për vrasjen që tronditi Greqinë, ku piloti Babis Anagnostopoulos, akuzohet se ka vrarë bashkëshorten e tij 20-vjeçare Caroline Crouch.
Autoritetet kanë dalë në përfundim se në krim nuk kishte të përfshirë asnjë person të dytë.
Avokati i pilotit është thirrur nga hetuesi për të nënshkruar përfundimin e hetimeve. Raportohet se hetuesit nuk kanë nxjerrë asnjë provë të re nga procesi, për verifikimin e telefonit dhe llogarisë bankare.
Ata nuk kanë asnjë informacion shtesë në lidhje me thirrjet e bëra natën kur u vra nëna e re në sy të foshnjës së saj. Ndërsa kompania nga Kina nuk u përgjigj kurrë ndaj kërkesës së autoriteteve greke në lidhje me pamjet nga karta e kamerave të sigurisë.
Sa i përket sekretit bankar, duket se ka pasur transaksione në shuma të vogla në kartat e Caroline dhe pilotit 33-vjeçar, kryesisht për shpenzimet e shtëpisë. Tashmë dosja pritet t’i dërgohet prokurorit për të paraqitur propozimin në Këshillin Gjyqësor në lidhje me dënimin e Babis.