Mbrojtja e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit ka afat deri sot për të njoftuar apelimin e vendimit të shkallës së parë të Gjykatës Speciale në Hagë. Avokatët kanë paralajmëruar kundërshtimin e dënimeve, të cilat i kanë cilësuar si të padrejta.
Sipas mediave në Kosovë, vendimi i shkallës së parë u shpall më 16 shtator, ndërsa tashmë pritet që mbrojtja të ndjekë procedurat për kundërshtimin e tij në Gjykatën e Apelit.
Në vendimin e shkallës së parë, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi u dënuan me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burgim.
Por cilat janë procedurat që duhet të ndjekin palët në procesin e apelimit?
Sipas Rregullores së Procedurës dhe Provave, palët duhet të dorëzojnë njoftimin për apel brenda 30 ditëve nga shpallja e aktgjykimit, duke paraqitur arsyet për të cilat kundërshtojnë vendimin.
Pas këtij hapi, kryegjykatësi i panelit të Apelit, i përbërë nga tre gjyqtarë, mund të caktojë një gjykatës raportues për të përgatitur çështjen për shqyrtim.
Brenda 21 ditëve nga njoftimi për apel, thirret një konferencë ku trajtohen çështjet procedurale dhe organizimi i procesit.
Më pas, palët duhet të dorëzojnë dosjet e apelit, ku përfshihen argumentet dhe bazat ligjore të kundërshtimit. Afati është 60 ditë nga njoftimi për apel, ndërsa kur kundërshtimi lidhet vetëm me dënimin, afati është 30 ditë.
Pas kësaj, palët kanë mundësi të paraqesin përgjigjet dhe kundërpërgjigjet e tyre, sipas afateve të përcaktuara në rregullore.
Gjykata e Apelit mund të vendosë edhe për pranimin e provave shtesë, ndërsa një seancë dëgjimore mund të caktohet nëse paneli e vlerëson të nevojshme.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata e Apelit ka disa mundësi: të lërë në fuqi aktgjykimin, ta ndryshojë ose ta anulojë atë, si dhe të urdhërojë rigjykim.
Një tjetër element i rëndësishëm është se në rastet kur apeli paraqitet vetëm nga personat e shpallur fajtorë, Gjykata e Apelit nuk mund të shqiptojë një dënim më të rëndë se ai i shkallës së parë.
Sipas rregullores, vendimi i Apelit duhet të shpallet brenda 60 ditëve nga parashtrimi i fundit i palëve. Ky afat mund të zgjatet edhe për një muaj, me arsyetim.
Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar përcakton tri baza kryesore për apelim: gabimet në zbatimin e ligjit që ndikojnë në aktgjykim, gabimet faktike që kanë shkaktuar dështim të drejtësisë dhe gabimet në përcaktimin e dënimit.
Nëse palët nuk pajtohen edhe me vendimin e Gjykatës së Apelit, ato mund t’i drejtohen më tej Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara në Hagë.
Ndryshe nga shkalla e parë, procesi në Apel nuk ka një datë të përcaktuar paraprakisht për përfundimin e tij.
