Dita e katërt e intervistimit të Presidentit të Kosovës në Hagë ka përfunduar pas gati 7 orësh.
Intervistimi i presidentit ka filluar nga ora 14:00, për të katërtën ditë radhazi.
Ndërkohë deri më tani nuk ka asnjë informacion në lidhje me detajet apo zhvillimet që kanë ndodhur në këtë intervistim.
Thaçi është deklaruar për media vetëm të hënën, ditën e parë të intervistimit, kur ka thënë se me prokurorët është diskutuar për disa “çështje sqaruese, teknike” dhe për interesimin e tyre për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë tre ditëve të kaluara, intervistimi i tij ka zgjatur nga gjashtë orë.
Sipas rregullores, aktakuza e paraqitur ka kaluar tani në duart e gjykatësit të procedurës paraprake, i cili ka gjashtë muaj kohë – nga muaji prill – për ta vërtetuar ose hedhur poshtë atë.
Thaçi ka paralajmëruar se do të japë dorëheqje nga pozita e presidentit nëse aktakuza e tij konfirmohet.