Mirëmbajtja e rrugëve dhe përmirësimi i infrastrukturës rrugore po vijon dhe gjatë këtij sezoni turistik duke garantuar sigurinë e qytetarëve.
Autoriteti Rrugor Shqiptar bën të ditur se në aksin rrugor K/Zemblak-K/Liqenas, rruga është pastruar plotësisht dhe ka përfunduar riparimi i sinjalistikës për të rritur sigurinë e udhëtarëve që përshkojnë këtë aks.
Gjithashtu në këtë aks janë bërë dhe pastrimet anësore nga bari dhe shkurret, në të dy anët e rrugës, ku është vendosur edhe sinjalistika e nevojshme në vendet ku mungonte.
Ky segment fillon në Zemblak, në kryqëzimin e rrugës se re Korçë – Bilisht me Zemblakun, kalon përmes fushës se Korçës për rreth 3 km, pastaj ngjitet në qafën e Zvezdës dhe vazhdon përgjatë fushës së Korijeve, përgjatë Malit të Zvezdës deri në Kryqëzimin e fshatit Liqenas me rrugën e Doganës se Gorricës.
Infrastruktura e mirëmbajtur rrugore është me shumë rëndësi jo vetëm për banorët e zonës, por edhe për turistët që vijnë dhe vizitojnë Prespën, si një nga perlat më të bukura të natyrës shqiptare, ballkanike dhe më gjerë.
Projekti për mirëmbajtjen e rrugëve mbështetet nga qeveria shqiptare dhe ka për qëllim riparimin dhe rregullimin e akseve nacionale për t’i dhënë më shumë siguri dhe lehtësi qarkullimit të mjeteve, shkruan ATA.




