Komisioni Europian ka konfirmuar ekskluzivisht për Report Tv se nuk ka asnjë bllokim në procesin e negociatave të anëtarësimit me Shqipërinë, duke përgënjeshtruar kështu Sali Berishën dhe mediat pranë tij që prej ditësh aludonin për bllokim të negociatave.
Një zyrtar i Komisionit Europian thotë se jo vetëm që nuk ka bllokim të negociatave, por po vijon puna për mbajtjen e konferencës së katërt ndërqeveritare, ndërqeveritare për të hapur zyrtarisht, ashtu siç ishte premtuar grupkapitujt, “Tregu i brendshëm” dhe “Konkurrueshmëria e rritja gjithëpërfshirëse”.
”Jo, nuk ka asnjë bllokim në procesin e negociatave me Shqipërinë. Në fund të vitit 2024, Shqipëria hapi dy grupkapitujt e parë brenda një periudhe të shkurtër kohe dhe dinamika në negociatat e anëtarësimit vazhdon ende.
Siç u përmend nga Komisionerja Kos gjatë misionit të saj në Tiranë javën e kaluar, Komisioni sheh perspektiva të mira që grupkapitujt 2 (Tregu i Brendshëm) dhe 3 (Konkurrueshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse) të hapen në javët në vijim, përmes mbajtjes së një Konference Ndërqeveritare. Diskutimet janë duke vijuar në Këshill, bazuar në propozimet e Komisionit.
Vijojnë gjithashtu përgatitjet për dy grupkapitujt e fundit (4-Axhenda e Gjelbër dhe lidhja e qëndrueshme, dhe 5-Burimet, bujqësia dhe kohezioni), duke u mbështetur në rezultatet e procesit të shqyrtimit”, thuhet në reagim.