Policia e Kavajës ka zbardhur 13 vjedhje banesash të ndodhur në qytet dhe në fshatrat përreth, duke vënë në pranga edhe autorët.
Sipas policisë, në sajë të operacionit të koduar “Perimetri” u ndaluan katër persona, të cilët kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri tjetrin.
Komisariati i Policisë Kavajë në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë, në kuadër të operacionit të koduar “Perimetri”, ndaluan shtetasit: G. I., 25 vjeç, S. K., 27 vjeç, Q. P., 43 vjeç, V. L., 19 vjeç.
“Ndalimi i shtetasve të mësipërm u bë, pasi nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera dyshohet se këta shtetas janë autorë të 13 vjedhje banesash të kryera në territorin e Komisariatit të Policisë Kavajë”, thotë policia.
