Policia e Elbasanit bën të ditur se ka vënë në pranga dhe dy persona të tjerë të lidhur me ngjarjen e djeshme në lagjen “Emin Matraxhiu” ku pati përplasje me armë mes dy makinave që ishin në ecje.
Të arrestuar janë E.C., 21 vjeç, i akuzuar për pengim të zbardhjes së të vërtetës, moskallëzim krimi dhe F.F., 21 vjeç i akuzuar për armëmbajtje pa leje dhe vrasje e mbetur në tentativë.
I përfshirë në këtë ngjarje ka qenë edhe Ervis Çausholli, i njohur si “korçari” dhe nuk është emër i panjohur për policinë pasi rezulton të jetë i përfshirë në ngjarje të tjera kriminale, por i pa dënuar asnjëherë.
Mësohet se ai ka shkuar me urgjencë në spital pasi është plagosur në dorë dhe më pas është larguar me shpejtësi,ndërkohë që është prangosur më pas në Tiranë.
Konflikti ka nisur fillimisht mes katër personave të ndarë në dy makina, ku në mjetin ndaj të cilit u qëllua udhëtonte Çausholli.
NJOFTIMI I PLOTE
Në vijim të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur mesditën e djeshme, në lagjen “Emin Matraxhiu”, Elbasan, ku gjatë një konflikti të çastit mes dy drejtues automjetesh u përdorën dhe armë zjarri, falë veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e ngjarjes, vënia në pranga e njërit prej autorëve dhe shpallja në kërkim e një tjetër autori. Si rezultat i veprimeve hetimore të thelluara, nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan, nga specialistët për Hetimin e Krimit kundër Personit në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan u arrestuan në flagrancë shtetasit:
F. F., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”.
E. C., 21 vjeç, banues në Librazhd, për veprat penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Moskallëzim krimi”.
Gjithashtu, si rezultat i këtyre hetimeve është shpallur në kërkim policor, për veprat penale “Vrasje me dashje” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje” shtetasi A. C., 21 vjeç, banues në Elbasan. Vijon puna për kapjen e tij dhe për kapjen e autorit tjetër, shtetasi M. Q.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme procedurale.
