Incidentet në derbin e kryeqytetit mes Tiranës dhe Partizanit kanë pasur protagonistë disa personazhe shumë të veçantë, “stjuardë” që nuk i përkitnin kompanisë së sigurisë të kontraktuar për sfidën. Ishin të gjithë tifozë të Tiranës të “punësuar” nga kjo e fundit për të mbajtur rendin në derbin si përfaqësues të grupeve të tifozëve, por që u shquan për rolin aktiv të tyre në ngjarjet e shëmtuara në fillimin e ndeshjes.
Pikërisht disa prej tyre ishin ata që nisën konfrontimin me ultrasit e Partizanit në fillimin e ndeshjes, duke bërë që në terrenin e “Selman Stërmasit” të hynin edhe tifozë të tjerë nga të dy palët, duke bërë që të përgjakej sfida që një orë para fillimit të saj.
Për t’i dalluar nga të tjerët edhe në terrenin e lojës, klubi i Tiranës i kishte pajisur me jelekë portokalli me mbishkrimin KF Tirana, në mënyrë që edhe stjuardët e kompanisë se sigurisë t’i shquanin nga tifozët e tjerë, apo edhe forcat e policisë nëse do të ndërhynin në stadium siç ndodhi. Për të dy palët ishte shumë e çuditshme kur vunë re se të parët që duhej të ndalnin në këto incidente ishin pikërisht “stjuardët-tifozë”. Kjo konfirmon përsëri se organizimi i kësaj ndeshje kishte qenë tërësisht i gabuar dhe fakti që iu dha mundësia “stjuardëve-tifozë” të mbanin rendit, ishte një zgjedhje që nuk duhej bërë nga bardheblutë.