Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
Kryesore

Përse duhet mbrojtur me ligj gjuha shqipe?

11:03 / September 30, 202613 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
800 0 1691166120xgjuha shqipe 531
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Nga Gjon Ndrejaj

Sot, duke udhëtuar nga Tirana për në Rrëshen, kur po kaloja në Kamëz, mendova se kisha mbërritur në New York. Tabelat dhe reklamat në gjuhë të huaj, emërtimet e rrugëve dhe gjithçka tjetër të kujtonin se je jashtë Shqipërisë, sikur të mos shfaqeshin befas disa pamje tipike shqiptare që nuk është rasti t’i përmend…, etj.

Pasi lashë Kamzën dhe udhëtoja drejt Rrëshenit, në fshatrat midis tyre, përsëri e njëjta gjë: “Dream Home” në Nikël, “Wedding Leka” në Mamurras, “New Born” në Munaz dhe “City Bar” në Rrëshen. Në fakt, e gjithë Shqipëria është e mbushur me tabela në gjuhë të huaj. Afër banesës sime në Tiranë është një “Barber Shop” dhe më tej një gomist, “Serxhio Tyre”. Edhe pse kam disa njohuri në anglisht, për të kuptuar përmbajtjen e fjalës “Tyre”, më është dashur të shfletoj fjalorin, i cili ka disa kuptime dhe përkthehet nga “gomë” e deri në “kos”. Vetëm prania e gomistit brenda, duke riparuar gomat, më bëri të kuptoj përmbajtjen e vëretetë të tabelës…

Kjo situatë më futi në mendime të thella, edhe për faktin se në Europë, ku kam pasur rastin ta vizitoj, si në Paris, Vjenë etj., nuk mund të gjesh tabela biznesi në gjuhë të huaj, përveçse në gjuhën e vendit, ose rrallë herë edhe dy gjuhësh. Atëherë pyetja që lind natyrshëm është: Kush është funksioni i tabelave kur ato nuk kuptohen nga qytetarët dhe klientët potencialë? Përse përdoret gjuha angleze në vend të shqipes? A duhet ndalur kjo, cilat janë pasojat dhe si mund të ndalet? Cila është përvoja e vendeve si Franca, Austria,Italia etj., vendeve nga rajoni, apo edhe rekomandimet e BE-së? E ndërkohë natyrshëm më erdhën në mend disa vargje nga poezia e Fishtës Gjuha Shqype:

Pra, mallkue njai bir Shqyptari,
qi këtë gjuhë të Perëndis’,
trashigim, që na la i Pari,
trashigim s’ia len ai fmis;
edhe atij iu thaftë, po, goja,
që përbuzë këtë gjuhë hyjnore;
qi n’gjuhë t’huej, kur s’asht nevoja,
flet e t’veten e lèn mbas dore.

Funksioni i vërtetë i tabelave

Përpara se të gjykojmë përse një tabelë është në anglisht, duhet të kuptojmë përse ekziston një tabelë biznesi. Përgjigja e shkurtër është: për të informuar klientin dhe për ta tërhequr atë. Informimi është funksioni bazë; tërheqja është funksioni tregtar. Pa informim, tabela humb kuptimin. Pa tërheqje, biznesi nuk shet. Tabela e një biznesi nuk është thjesht dekor. Ajo është mjet komunikimi mes biznesit dhe qytetarit. Pra, për kë bëhet tabela? Për klientin, para së gjithash. Por edhe për vetë biznesin; për t’u njohur, për të shitur, për të krijuar markë. Pa klient, tabela është vetëm shpenzim.

Kur tabela është vetëm në anglisht, shpesh ajo nuk e plotëson funksionin e informimit për klientin vendas. Kalon në një funksion tjetër; simbolik. Duket “moderne”, “ndërkombëtare”, “prestigjioze”. Por kjo simbolikë shpesh është e zbrazët. Rasti “Wedding Leka” është shembulli klasik; emri është në anglisht, ndërsa shërbimi është dasmë, klienti kryesor është shqiptar, dhe tabela nuk fiton asgjë nga anglishtja. Nuk informon më mirë, nuk tërheq më shumë, thjesht krijon distancë ose gomisti i lagjes “Serxhio Tyre”
Nëse biznesi synon turistë të huaj, anglishtja ka kuptim. Por edhe atëherë, shqipja duhet të jetë e pranishme dhe parësore, sepse klienti kryesor është vendas. Nëse synon tregun vendas, atëherë anglishtja pa shqipen është pengesë, jo vlerë e shtuar. Markat e regjistruara globale, si Toyota apo Coca-Cola,etj. janë përjashtim, sepse ato nuk përkthehen dhe njihen botërisht.

Si përfundim, tabelat bëhen për të informuar dhe për të tërhequr klientin.Por një klient që nuk e kupton përmbajtjen e tabelës si mund të tërhiqet ?! Informimi është themeli; tërheqja pa informim është vetëm zhurmë. Prandaj një ligj që kërkon shqipen në tabela nuk është burokraci kundër biznesit. Është rikthim i tabelës në funksionin e saj të vërtetë: të komunikojë me njeriun që e lexon.

Ju flet Euuropa…

Europa ku po ecim turra-vrap drejt saj, ka tjetër qasje ndaj këtij fenommeni. Kjo më bëri të kërkoj disa përvoja të vendeve të Europës dhe rajonit. Franca ka ligjin më të detajuar, Ligjin Toubon (1994), i cili kërkon përdorimin e detyrueshëm të frëngjishtes në çdo tekst komercial të destinuar për publikun: tabela, reklama, fatura, etiketa, udhëzime, faqe interneti. Detyrimi është jo-ekskluziv , mund të shoqërohet me gjuhë të huaj por frëngjishtja duhet të jetë e pranishme dhe e lexueshme. Përjashtim bëjnë markat e regjistruara dhe emrat e produkteve që nuk kanë përkthim zyrtar. Zbatimi bëhet nga, autoriteti i mbrojtjes së konsumatorit, me sanksione deri në 750,000 euro dhe tërheqje të menjëhershme të materialeve.

Austria nuk ka një ligj të vetëm të ngjashëm me atë francez, por gjermanishtja mbrohet përmes ligjeve sektoriale dhe praktikave administrative. Në fushën e sinjalistikës rrugore, ligji kërkon që emrat e vendeve të huaja të shkruhen në gjuhën e tyre origjinale, duke lejuar shtimin e emrit gjerman si opsion. Për bizneset, nuk ka një ndalim të përgjithshëm, por normat e konsumatorit dhe pritshmëritë shoqërore e bëjnë të rrallë përdorimin e panevojshëm të anglishtes.

Italia ka një dispozitë të qartë; në tabela dhe vitrina, italishtja duhet të zërë vendin e parë me karaktere më të dukshme; gjuha e huaj lejohet vetëm si shtesë. Mosrespektimi mund të çojë në revokimin e licencës. Ky është një model jashtëzakonisht i fortë: jo vetëm që kërkohet italishtja, por kërkohet që ajo të jetë e para dhe më e dukshmja. Spanja ofron një model të ngjashëm, veçanërisht në Katalonjë, ku legjislacioni kërkon që tabelat e dyqaneve dhe informacioni për konsumatorët të jenë të paktën në katalanisht. Përjashtohen markat dhe emrat tregtarë.

E drejta e BE-së nuk imponon një gjuhë të vetme, por kërkon që informacioni për konsumatorin të jetë në një “gjuhë të kuptueshme lehtësisht” nga blerësi. Shtetet anëtare mund të kërkojnë përdorimin e një ose më shumë gjuhëve zyrtare të BE-së për etiketimin. Kjo lejon modele si ai italian ose francez, pa cenuar tregun e përbashkët. Pra, në zemër të Evropës, mbrojtja e gjuhës kombëtare në hapësirën tregtare nuk shihet si pengesë për biznesin, por si kusht për transparencë dhe dinjitet kombëtar.

Ballkani; modele të ndryshme, problem i përbashkët

Edhe në Ballkan, çështja e tabelave në gjuhë të huaj është trajtuar me ligje të qarta. Kroacia ka një ligj për gjuhën kroate që kërkon që emrat e bizneseve të jenë në kroatisht dhe shkrim latin; fjalët e huaja lejohen vetëm për marka të mbrojtura ose terma që konsumatorët i njohin dhe për të cilat nuk ka alternativë kroate. Mesazhet publike duhet të formulohen së pari në kroatisht, pastaj në gjuhë të tjera. Serbia është ndër më të rreptat; emri i biznesit duhet të shkruhet në serbisht me alfabet cirilik ose latin, përveç markave të mbrojtura ose subjekteve të huaja.
Kosova ka një ligj për gjuhët që kërkon që tabelat të jenë në shqip dhe serbisht, me shtimin e anglishtes, një model tre-gjuhësh që reflekton realitetin multietnik. Ky është një model interesant: shqipja e para, pastaj serbishtja, pastaj anglishtja. Ky rend nuk është arbitrar; ai pasqyron hierarkinë e gjuhëve zyrtare dhe respekton realitetin demografik. Maqedonia e Veriut kërkon përdorimin e gjuhës maqedonase dhe shqipes në administratën publike, me theks në dy gjuhësinë në shënjimin e produkteve.
Ky mozaik tregon se Shqipëria nuk është e vetme në këtë sfidë, por është ndër të paktat vende në rajon që nuk ka një kuadër të qartë ligjor për tabelat komerciale. Ndërkohë që Kroacia, Serbia dhe Kosova kanë ligje të qarta që mbrojnë gjuhën e tyre në hapësirën publike, Shqipëria vazhdon të lejojë që anglishtja të zaptojë tabelat e saj pa asnjë kundërpeshë ligjore.

Pro dhe kundër

Mbështetësit e një ndalimi ligjor argumentojnë se përdorimi i panevojshëm i anglishtes në tabelat e bizneseve përbën një formë të heshtur të kolonizimit kulturor dhe dobëson identitetin kombëtar. Gjuha shqipe po përballet me një tkurrje të hapësirës së saj publike, ku pjesa më e madhe e tabelave janë në anglisht. Ky fenomen nuk është thjesht një çështje shijesh; ai ka pasoja konkrete.
 Së pari, tabelat në anglisht përjashtojnë një pjesë të konsiderueshme të popullsisë që nuk e zotëron gjuhën angleze, duke krijuar një barrierë komunikimi dhe duke cenuar të drejtën e qytetarëve për të kuptuar informacionin që u drejtohet.
 Së dyti, përdorimi i panevojshëm i anglishtes për shërbime vendase si “Wedding Leka” apo “Serxhio Tyre”, krijon një distancë artificiale mes biznesit dhe klientit. Nuk është gabim ortografik ai që dëmton; është mungesa e shqipes aty ku ajo është e nevojshme.
 Së treti, një ndalim ligjor do të mund të shërbente si një mjet për të ruajtur pastërtinë dhe dinjitetin e gjuhës shqipe, duke i dhënë asaj përparësinë që i takon në territorin e saj sovran. Siç thotë Fishta, gjuha është “trashigim, që na la i Pari” , një trashëgimi që duhet “t’ja lemë fmis” ,dhe nuk mund të braktiset pa pasoja.

Kundërshtarët e një ndalimi të tillë ngrenë shqetësime të rëndësishme. Një ndalim i përgjithshëm dhe i detyrueshëm mund të përplaset me lirinë e shprehjes dhe lirinë e veprimtarisë ekonomike, të garantuara nga Kushtetuta. Bizneset kanë të drejtë të zgjedhin mënyrën se si komunikojnë me klientët e tyre, dhe anglishtja shpesh shërben si një gjuhë ndërkombëtare që lehtëson komunikimin me turistët dhe partnerët e huaj.
Për më tepër, një ndalim i tillë do të ishte praktikisht i vështirë për t’u zbatuar, duke kërkuar burime të konsiderueshme njerëzore dhe financiare për inspektime dhe sanksione. Në një vend që aspiron integrimin në Bashkimin Evropian dhe që mbështetet shumë në turizëm, një qasje e ngurtë mund të dëmtojë klimën e biznesit dhe të krijojë një atmosferë kufizuese që nuk përputhet me standardet ndërkombëtare.
Përveç kësaj, gjuha është një organizëm i gjallë; ndikimet e huaja janë të pashmangshme në një botë të globalizuar, dhe përpjekjet për ta mbrojtur atë me forcë ligjore shpesh kanë rezultuar të pasuksesshme ose kundërproduktive.

Zgjidhja, pra, nuk është një ndalim i plotë, por një detyrim për përkthim një bashkëjetesë gjuhësore duke prioritizuar shqipen. Ky është një kompromis i arsyeshëm; biznesi është i lirë të përdorë anglishten për të tërhequr një audiencë ndërkombëtare, por njëkohësisht respekton detyrimin kushtetues dhe ligjor për të garantuar që qytetarët shqiptarë të kenë akses në informacion në gjuhën e tyre amtare.
Ky model zbatohet tashmë në vende të tjera. Në Francë, ligji kërkon që frëngjishtja të jetë e pranishme në çdo reklamë, edhe kur përdoret anglishtja. Në Itali, italishtja duhet të jetë e para dhe më e dukshmja. Në Kroaci, kroatishtja është e detyrueshme për emrat e bizneseve, përveç markave të mbrojtura. Në Kosovë, shqipja dhe serbishtja janë të detyrueshme në tabelat zyrtare.Asnjë prej këtyre vendeve nuk e ka ndaluar anglishten. Ato thjesht kanë vendosur që gjuha vendase të mos zhduket nga hapësira publike. Ky është ndryshimi thelbësor mes një politike gjuhësore të ekuilibruar dhe një politike të braktisjes.

Mallkimi i Fishtës nuk mjafton…

Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është e qartë në nenin 14, pika 1: “Gjuha zyrtare në Republikën e Shqipërisë është shqipja”. Ky nen përcakton gjuhën e institucioneve shtetërore dhe të dokumentacionit zyrtar, por nuk shtrihet automatikisht në sferën private të biznesit. Deri më sot, Shqipëria nuk ka një ligj të posaçëm që të detyrojë subjektet private të përdorin shqipen në tabelat e tyre, përveç rasteve kur ato përfshihen në kuadrin e përgjithshëm të reklamimit ose të mbrojtjes së konsumatorit. Ekzistojnë dispozita të shpërndara në Kodin e Procedurës Civile që kërkojnë përdorimin e shqipes në gjykim, por këto nuk kanë të bëjnë me reklamat komerciale.
Kjo mungesë e një akti të veçantë ligjor ka krijuar një vakum që është shfrytëzuar gjerësisht nga bizneset, të cilat shpesh preferojnë anglishten për arsye prestigji, thjeshtësie ose orientimi nga tregu i huaj. Ndërkohë, qytetari shqiptar që nuk e zotëron anglishten mbetet shpesh i përjashtuar nga informacioni që i drejtohet në hapësirën publike.

Në këtë kontekst, poezia e Fishtës nuk është thjesht vargje nostalgjike. Është një paralajmërim. Kur gjuha e huaj përdoret “kur s’asht nevoja”, dhe gjuha e vet “lèhet mbas dore”, atëherë nuk kemi të bëjmë me kozmopolitizëm, por me neglizhencë identitare. Dhe kjo neglizhencë nuk është thjesht çështje shijesh; ka pasoja konkrete.

Në dritën e përvojës ndërkombëtare dhe të rajonit, Shqipëria ka nevojë për një akt ligjor të qartë, por proporcional, që të rregullojë përdorimin e gjuhëve në tabelat dhe reklamat komerciale dhe jo vetëm, Ky akt mund dhe duhet të parashikojë:
1. Detyrimin e përkthimit në shqip të çdo mesazhi komercial që shfaqet në gjuhë të huaj, duke përfshirë tabelat, vitrinat, fletushkat dhe faqet e internetit të bizneseve që operojnë në Shqipëri. Përkthimi duhet të jetë i lexueshëm dhe jo thjesht formal.
2. Përjashtimin e markave të regjistruara dhe emrave tregtarë ndërkombëtarë, si Toyota, Coca-Cola, etj., të cilët kanë mbrojtje ligjore dhe nuk përkthehen.
3. Përparësinë e gjuhës shqipe në mesazhet e interesit publik, si informacione për shëndetin, sigurinë, çmimet dhe kushtet e shërbimit.
4. Zbatimin nga autoritetet e mbrojtjes së konsumatorit dhe inspektoriatet përkatëse, me sanksione graduale; fillimisht vërejtje dhe afat për korrigjim, pastaj gjoba të moderuara, dhe në raste të përsëritura masa më të rrepta.
5. Fushata ndërgjegjësimi dhe nxitje pozitive për bizneset që përdorin shqipen si gjuhë kryesore, duke e paraqitur atë si vlerë të shtuar dhe jo si detyrim.
6. Bashkëpunim me dhomat e tregtisë dhe shoqatat e biznesit për krijimin e kodeve të sjelljes vullnetare që promovojnë përdorimin e shqipes.
Një qasje e tillë është më pak konfrontuese dhe më e qëndrueshme në afat të gjatë, pasi mbështetet në bindjen dhe jo vetëm në sanksione. Për më tepër, një politikë e kujdesshme e përkthimit dhe e dy gjuhësisë do të mund të forcojë pozitën e shqipes pa krijuar ndjenjën e izolimit apo të mbylljes ndaj botës.

Ajo që duhet të kuptohet është se mbrojtja e gjuhës nuk është kundër globalizmit; është një mënyrë për të ruajtur identitetin në një botë që po bashkohet gjithnjë e më shumë. Përvoja e Francës, Austrisë, Italisë, Spanjës, BE-së dhe vendeve të rajonit tregon se zgjidhja më e ekuilibruar është një akt ligjor që detyron përkthimin në shqip të të gjitha tabelave dhe reklamave komerciale që përdorin gjuhë të huaj, duke ruajtur lirinë e biznesit për të përdorur anglishten si element shtesë.
Fishta e shkroi këtë mallkim më shumë se një shekull më parë, në një kohë kur gjuha shqipe po luftonte për mbijetesë. Sot, gjuha nuk është në rrezik fizik, por ajo po shtyhet në periferi të hapësirës publike. Dhe kur gjuha tërhiqet nga hapësira publike, ajo rrezikon të zhduket. Sepse gjuha mbrohet duke e folur, duke e shkruar, dhe duke e vendosur aty ku i takon, në krye të tabelës.
Integrimi nuk është asimilim, ai presupozon ruajtjen e identitetit. Integrimi i vërtetë kërkon që ti të sjellësh diçka nga tryeza jote në tryezën e përbashkët. Pa ruajtur identitetin nuk ka integrim por asimilim dhe Shqipja u ka rezistuar shumë betejave dhe ka mbijetuar. Shqipëria nuk mund të bëhet pjesë e botës duke u zhdukur prej saj; por duke treguar vlerat tona identitare të cilat fillojnë më së pari nga gjuha

Gjon Ndrejaj gjuha shqipe opinion
Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Ndryshimet në Kodin e Procedurës Penale/ “Sfidë e përbashkët”, Rama: Paraburgimi nuk mund të jetë norma, të drejtat e qytetarëve duhet të mbrohen

11:38 / September 30, 2026

Shpërthim me lëndë plasëse në derën e një lokali në Durrës

09:43 / September 30, 2026

Ursula von der Leyen nis turin e ballkanit nga Tirana, takim me Ramën dhe Begajn

09:34 / September 30, 2026

Goditet skema e mashtrimeve në Tiranë, 4 në pranga. Në kërkim pronari i ambientit

09:06 / September 30, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.