Pika e parë historike në tokën Islandeze por edhe shumë keqardhje në një ndeshje ku Shqipëria mund të kishte regjistruar një fitore që për mënyrën se si e interpretoi lojën, nuk do t’i rrinte ngushtë.
Mbyllet 1-1 ndeshja e parë e Kombëtares Kuqezi në Ligën e Kombeve 2022 në Islandën e largët dhe pas 90 minutave ku u regjistrua vetëm një stonaturë, ajo e momentit kur mbrojtja futi ujë në golin e barazimit të vendasve. Mund të dalë i buzëqeshur Edoardo Reja nga transferta delikate ku edhe pse më një skuadër të cunguar nga dëmtimet, tragoi se ka ndërtuar një grup të besueshëm që mund të shkojë shumë larg në këtë kompeticion.
Pjesa e parë ritmike dhe me pasime të shpejta. Shqipëria më e mirë që mund të kemi parë prej vitesh. E mbështetur nga qindra tifozë kuqezi në stadiumin kombëtar të Islandës, skuadra e Edi Rejës tregoi pjekuri dhe karakter.
Abrashi më i miri në fushë rezultoi një zgjedhje e zgjuar nga trajneri që hodhi në fushë edhe Seferin. Ishte pikërisht ky binom që finalizoi në gol një aksion të gjatë. Festë kuqezi në fushë dhe në shkallët e stadiumit më verior të kontinentit.
Thorsteinsson ndëshkoi në një nga momentet e vetme të errëta të skuadrës shqiptare vetëm 4 minuta nga rikthimi në fushë. Në mënyrë të pabesueshme Gjimshiti komplikoi situatën dhe dhuroi një asist për lojtarin islandez.
Gol që bëri me krahë vendasit por dalëngadalë kuqezinjtë morën frenat e lojës dhe Balliu nga e djathta por edhe Çekiçi, Seferi e Abrashi krijuan volum dhe raste. Vrioni dhe Balaj në fushë në vend të Cikalleshit dhe Çekiçit ndërsa Seferi ia la vendin Asllanit.
Nuk ndryshoi asgjë deri në fund të ndeshjes ku të dyja skuadrat pranuan barazimin si rezultatin e vetëm në një situatë të tillë. Kjo ndeshje është e vlefshme për grupin B2 të Ligës së Kombeve ku Shqipëria për momentin është ngjitur në dytë të klasifikimit pas Islandës që numërin një ndeshje më shumë.