Shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë kanë finalizuar fazën e dytë të operacionit policor të koduar “Piromani”, duke arrestuar në flagrancë shtetasin Anton Deda, 62 vjeç, banues në fshatin Rraja e Valës, Njësia Administrative Rrëshen, Bashkia Mirditë.
62-vjeçari është arrestuar për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Shkatërrimi me zjarr i pyjeve dhe i mjedisit pyjor”.
Sipas Policisë, në momentin e kapjes, Deda sapo kishte ndezur një vatër zjarri në fshatin Rraja e Valës. Nga veprimet hetimore dhe ndjekja në terren është dokumentuar se gjatë ditëve të mëparshme ai kishte ndezur edhe 5 vatra të tjera zjarri.
Si pasojë e zjarreve, është përfshirë nga flakët një sipërfaqe prej rreth 15 hektarësh. Ndërkohë, vijon puna në terren për shuarjen e plotë dhe vënien nën kontroll të vatrave.
Shërbimet zjarrfikëse, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mirditë, vijojnë ndërhyrjen për izolimin dhe shuarjen e zjarrit.
Nga verifikimet e kryera rezulton se Anton Deda ka precedent të mëparshëm për zjarrvënie të qëllimshme.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Mirditë, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të aktivitetit të 62-vjeçarit dhe verifikimin e përfshirjes së tij edhe në raste të tjera zjarrvëniesh të ndodhura më herët në territorin e Bashkisë Mirditë.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
