Një ngjarje e rëndë është regjistruar këtë të hënë në Pogradec, ku një 30-vjeçar dyshohet se ka plagosur me thikë bashkëshorten e tij në banesën e tyre në lagjen nr. 4 të qytetit.
Sipas informacioneve paraprake, çifti, Renato dhe Bleona Xhaja, janë përfshirë në një konflikt të çastit, gjatë të cilit burri dyshohet se ka marrë një thikë dhe ka goditur bashkëshorten. Burime paraprake bëjnë me dije se 30-vjeçari mund të ketë probleme të shëndetit mendor.
E reja është transportuar fillimisht në spitalin e Pogradecit, ku po merr ndihmën mjekësore, ndërsa më pas pritet të dërgohet drejt Tiranës për trajtim më të specializuar. Fatmirësisht, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Autori i dyshuar është shoqëruar nga policia në Komisariatin e Pogradecit, ndërsa grupi hetimor po punon për të zbardhur plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, gruaja ka marrë dy plagë, një në bark dhe një në krah. Ndërkohë, 30-vjeçari po merret në pyetje nga uniformat blu lidhur me ngjarjen.
Mësohet se çifti jeton në Greqi, por kishte ardhur në Pogradec për të kaluar pushimet pranë familjarëve.
Policia njoftoi se rreth orës 13:30, në lagjen nr. 4 të Pogradecit, shtetasi R. Xh., 30 vjeç, dyshohet se ka plagosur me mjet prerës bashkëshorten e tij, shtetasen B. Xh., 28 vjeçe, gjatë një konflikti në banesë. E dëmtuara po merr mjekim në spital, ndërsa ndaj 30-vjeçarit po kryhen veprimet procedurale.
Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të ngjarjes.
