Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në Parlament bëri të ditur se në javët në vijim do të ketë një hapje por kjo duhet shoqëruar me masa shtrënguese për të mos rrezikuar sërish rimbylljen.
I akuzuar për abuzime me ndihmat e qeset e ushqimeve, Rama duke theksuar rëndësinë e masave në Kodin Penal tha se nëse do të ketë rimbyllje nuk do të ketë as qese më, duke theksuar rëndësinë e ndikimit në ekonomi.
“Në javët në vijim do të hapemi dhe do të shtrëngojmë masat për at që nga hapja mund të sjellin përmes shkeljeve rimbylljen. Nëse ne nuk ua bëjmë të qartë atyre që janë potencialisht shkelës çfarë u ndodh po abuzuan me hapjen ata nuk duhet të jenë 100 mijë vetë, mjafton të jenë 100 veta na mbyllin prapë brenbda dhe atëherë as qese s’ka më”, tha Rama.
Ai tha se hapja do të jetë me një plan të detajuar: “Plan të detajuar me protokolle sigurie sipas nivelit të riskut dhe ata që nuk i respektojnë patjetër që do të dënohen, si të vazhdojmë me lokale që hapen, mbyllen, rihapen. Sepse në kushtet e hapjes do ketë shumë me tepër se këta nëse ne nuk marrim masa. Për këtë janë masat”, tha Rama
Ai u kërkoi deputetëve të votojnë Kodin dhe “mos bashkëpunoni me COVID-in”.
