Pamja që la pas protesta e opozitës ditën e sotme sigurisht nuk është e këndshme. Si në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit” përballë godinës së Kryeministrisë ashtu edhe tek parlamenti, mbeturinat dhe bidonët e ujit ishin hedhur kudo në rrugë, ndërkohë që nuk mungonin dhe pankartat me slogane politike të hedhura ngado nëpër shesh.
Madje tek parlamenti protestuesit shkulën edhe pllakat dekorative të pedonales duke i hedhur në drejtim të policisë, ndërkohë që u shkulën edhe tabelat e sinjalistikës.
Përmes një postimi në tëitter, ka reaguar edhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ka dënuar dhunën e ushtruar nga protestuesit sot ndaj hapësirës publike, ndërsa ka siguruar qytetarët se çdo gjë do të riparohet në kohë rekord që të jetë gati për festimet e nesërme për Ditën e Verës. “Tirana nuk i përulet dhunës! Kurrë! Çdo gjë xixë për nesër. Tirana nuk ndalet. Unë nuk e di si i mbani qytetet prej nga vini çdo muaj për ekskursion dhune, por Tirana jonë kurohet me shumë mund e nuk e pranon këtë lloj bullizmi primitiv. Do pastrohet e meremtohet në kohë rekord sot, që nesër të jetë gati për Ditën e Verës e për gjithë qytetarët e vërtetë”, theksoi Veliaj. Në fakt, menjëherë ka nisur puna nga ndërmarrja e pastrimit të qytetit për pastrimin e mbeturinave që lanë pas protestuesit dhe rregullimin e dëmeve.
Si për ironi të fatit, me largimin e kreut të PD nga protesta para kryeministrisë, dhe zhvendosjen e saj para Parlamentit, protestuesit zgjodhën të pushojnë në lulishten pranë Kryeministrisë, tek Piramida, duke shijuar edhe temperaturat e larta që shoqëruan këtë të shtunë të 16 marsit.







