Sot është 17 shkurti! Si sot e 16 vite më parë, Kosova ka fituar pavarësinë e saj të çmuar, për të cilën ka luftuar shumë.
Anita Haradinaj tha në emisionin Rudina, se në ditën e pavarësisë ka qenë në Hagë, për të vizituar bashkëshortin e saj, Ramush Haradinaj. Momentin kur është nënshkruar Deklarata e Pavarësisë, ajo e kuptoi në aeroport, përmes CNN dhe BBC. Ajo çka e trishtoi më shumë Anitën, ishte që Ramushi nuk po e gëzonte dot këtë çast historik si të gjithë të tjerët.
Anita Haradinaj: Unë atë ditë kam qenë në Hagë, kam qenë për vizitë tek Ramushi edhe domethënë, atë ditë po e mbaroja vizitën. Shkova paradite, e kisha lidhur një flamur kuq e zi aty, si supermen domethënë, edhe shkova për vizitë. Në burg, ku ishte Ramushi, ishin të gjithë këta gjeneralët e ushtrisë të Serbisë, që ishin të akuzuar dhe ata në Hagë. Atë ditë, tek vizita, se ishte një si sallon i përbashkët, nuk kishte shumë nga këta serbët, kishte vetëm disa prej tyre. Edhe i thashë Ramushit unë: “Po ata ku janë?” Tha: “Kanë dalë për të marrë ajër të ftohtë”. Kishin dalë për t’u freskuar.
Mbarova vizitën, edhe u nisa për Kosovë. Në aeroport, të gjithë njerëzit që më shikonin me flamur, se e kisha mbajtur flamurin, të gjithë njerëzit më ndalonin dhe më uronin. Ndërkohë, në të gjitha ekranet në aeroport, ishte CNN, BBC, që po jepnin momentin e nënshkrimit të Deklaratës së Pavarësisë. Edhe unë fillova të qaj pastaj, se lashë Ramushin atje. Njëri nga njerëzit dhe figurat kryesore të bërjes shtet të Kosovës, nuk po e gëzonte atë momentin, edhe fillova të qaj.