Janë sekuestruar 3 tonë e 519 kilogramë kafe nga Policia e Kukësit. Në kuadër të procedimit penal të nisur më herët për kontrabandimin e mallrave që paguhet akcizë, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës nën drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, kanë organizuar punën dhe ushtruar kontroll në dy subjekte tregtare.
Gjatë kontrollit në ambientet në pronësi të qytetarit me iniciale M.B., të marrë në përdorim nga qytetari D. J., u gjetën dhe u sekuestruan 123 kilogramë kafe, të ndara në paketime, me mbishkrime të ndryshme.
Gjithashtu, gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën e shtetasit Q.B., Policia gjeti dhe sekuestroi 2 tonë e 280 kilogramë kafe e pa përpunuar (kokërr) dhe 1 ton e 116 kilogramë kafe, të ndara në paketime me mbishkrime të ndryshme.
Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Kukës, proceduan shtetasit D. J., Q.B., dhe M. B., për veprat penale “Kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë”, “Ruajtja apo depozitimi i mallrave kontrabandë” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kukës, për veprime të mëtejshme.
