Policia e Shtetit ka nisur zbatimin e masave për mbarëvajtjen e procesit parazgjedhor. Deri në këto momente policia ka marrë në ruajtje 4080 objekte, në të cilat ndodhen materiale zgjedhore, teksa procesi vijon ende.
“Punonjësit e Policisë, të planëzuar në të gjithë vendin, për ruajtjen e objekteve zgjedhore, janë paraqitur pranë KZAZ-ve dhe vijon procesi i shoqërimit të komisionerëve me materialet zgjedhore dhe marrja në ruajtje e objekteve zgjedhore ku do të administrohen materialet zgjedhore. Në të gjithë vendin, deri në këto momente, janë marrë në dorëzim nga punonjësit e Policisë, për ruajtje, 4080 objekte dhe vijon marrja në dorëzim edhe e objekteve të tjera.”
“Në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit funksionon grupi i drejtimit, për menaxhimin e masave të sigurisë për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, me qëllim vlerësimin e çdo informacioni nga të gjitha burimet, si dhe për verifikimin, analizimin dhe ndjekjen e tij. Punonjësit e Policisë raportojnë në kohë reale te grupi i Drejtimit në DPPSh, nëpërmjet sistemit të menaxhimit të procesit të marrjes në dorëzim të objekteve zgjedhore, dorëzimin e objekteve dhe deri në përfundim të procesit.”
Janë edhe 1132 objekte të tjera të cilat do të merren në mbrojtje nga Policia e Shtetit.