Policia ka reaguar për incidentin me gazetarin Simon Shkreli gjatë një operacioni kontrolli nga forcat speciale policore në Shkodër.
Gazetari ka deklaruar se ka qenë duke filmuar me celular dhe është penguar të kryejë detyrën e tij.
Gazetari pretendon se në sy të familjes së tij dhe fëmijëve, trupat e RENEA-s e kanë dhunuar edhe pse u ka treguar atyre “badgen” e gazetarit dhe se ishte në punë.
Lidhur me këtë incident, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar menjëherë Drejtorinë e Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, për të nisur verifikimin e veprimeve të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Policia e Shtetit është tërësisht e angazhuar për të rritur parametrat e sigurisë në vend, përfshirë kontrollet për të kapur personat që qarkullojnë të armatosur apo që posedojnë dhe trafikojnë lëndë narkotike.
Duke vlerësuar fort rolin e medias në informimin e publikut dhe duke kërkuar mirëkuptimin e gazetarëve për të qenë bashkë në misionin për më shumë siguri, Policia e Shtetit dënon çdo akt dhe do të marrë masa për çdo kapërcim në ushtrimin e detyrës nga punonjësit e Policisë së Shtetit.
Ndërkohë, lidhur me këtë incident edhe SHÇBA ka nisur verifikimet. Gazetari Shkreli ndodhet në ambientet e shërbimit, për të dhënë deklaratën e tij.
