Fan Noli ka qenë një personalitet i shquar dhe në fushën e diplomacisë, ku vlerësohen përpjekjet e tij për konsolidimin e shtetit të ri shqiptar, dhe lobimi i fuqishëm për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve.
Arkiva historike e MEPJ në rubrikën Historia e Diplomacisë Shqiptare sjell dëshmi arkivore mbi aktivitetin e Imzot Fan Noli, personalitet i shquar në aktivitetin diplomatik të shtetit shqiptar. Si pjesë e diasporës shqiptare në SHBA, që nga viti 1906, i diplomuar në Universitetin e Harvardit në vitin 1912, ai ishte i dërguari i Vatrës për të kontribuar në një trajtim të drejtë ndërkombëtar të çështjes shqiptare, konsolidimin e shtetit të ri shqiptar , dhe për një orientim sa më perendimor të procesit shtetformues.
Qeveria e Sulejman Delvinës e dekretoi imzot Fan S.Nolin kryetar të delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve. Ai loboi fort dhe shfrytëzoi të gjitha kontaktet e tij personale për pranimin e Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve bashkë me Mid-hat Frashërin, Hil Mosin, e Benedikt Blinishti, proces që u finalizua në 17 dhjetor 1920 me pranimin e Shqipërisë si anëtare e rregullt e Lidhjes së Kombeve. Ky moment e bën Nolin themelues të diplomacisë shumëpalëshe të shtetit shqiptar.
Ai ishte përfaqësuesi i parë shqiptar në Lidhjen e Kombeve gjatë vitit 1921. Ai shpresonte shumë tek Lidhja e Kombeve, si një tryezë ku mund të dëgjoheshin edhe përfaqësuesit e shteteve të vogla, përballë tryezave të mbyllura të diskutimeve të Fuqive të Mëdha të kohës, që përcaktonin fatet e shteteve të vogla. Fan Noli argumentoi dhe bindi qeverinë e Tiranës, e më pas nënshkroi pa asnjë hezitim Deklaratën për mbrojtje e minoriteteve në v.1921.
Ky ishte një hap jo i lehtë për fillimin e viteve ’20-të të shek.XX në një rajon si Ballkani që trashëgonte probleme të mëdha me trajtimin e pakicave kombëtare, pasojë e kompromiseve të mëdha në këtë rajon. Ai shpresonte se Lidhja e Kombeve do e trajtonte më drejtë çështjen shqiptare, nëpërmjet një diplomacie të hapur dhe u përpoq shumë për këtë.
“Më në fund, sikur dhe konferenca e ambasadorëve t’apë nji vendim kundra interesit t’onë , ne na rrin shtegu i hapët për me u përpjek ; por duhet me dijtë se nji vendim i dhanun prej Konferences s’ambasadorvet, pa dyshim qi ka m’e influencuem Lidhjen e Kombevet. Nga ky shkak marrëveshja me Italinë çfaqet e domosdoshme. Në qoftë se Shqipnija e 1913 pështon, pa pasë nevojën e nji marrëveshje italiane, këjo ka me qenë nji mrekulli, në vend qi politikën e nji shteti nuk themelohet kurrë mbi çudina”, do të shkruante Fan Noli në raportin e gjatë dërguar qeverisë mbi punimet në Gjenevë, që mban datën 14 korrik 1921.
U kthye në Atdhe pas vendimit të Konferencës së Ambasadorëve 1921, dhe mori postin e Ministrit të Punëve të Jashtme që e mbajti gjatë vitit 1922.
Lexoni këtu dokumentet.