Samiti i Procesit të Berlinit, i mbajtur të hënën në Tiranë u bë lajm në mbarë Europën dhe ishte kryefjalë në media. Një nga lajmet ishte që kryeministrja serbe, Ana Brnabiç refuzoi të merrte pjesë në fotografinë familjare të liderëve për shkak se prapa tyre rreshtohej edhe flamuri i Kosovës.
Por kreu i Lëvizjes “Odgovor” në Serbi, Boban Bogdanoviç është shprehur se me këtë veprim ajo ka “mashtruar” opinionin publik në Serbi. Ai u shpreh përmes një postimi në platformën “X” se pasi refuzoi të merrte pjesë në fotografi, Brnabiç ka firmosur një marrëveshje, në të cilën përfshihej edhe Kosova.
Fjala është për marrëveshjen e pranimit të kualifikimeve profesionale, të cilat tanimë do të njihen për shtetasit kosovarë edhe në Serbi. “Kryeministrja e Serbisë refuzoi një foto të përbashkët në Tiranë për shkak të Republikës së Kosovës, ndërsa pak orë më vonë firmosi një dokument për pranimin e kualifikimeve profesionale të Republikës së Kosovës, de jure dhe de facto!”, shkroi Bogdanoviç.
