Polonia ka akuzuar Gjermaninë se në mënyrë indirekte po provokon luftën në Ukrainë, duke u përpjekur të vonojë hyrjen e kësaj të fundit në NATO, në përgjigje të deklaratave të ministrit gjerman të Mbrojtjes.
Zv/ministri i Jashtëm i Polonisë, Piotr Wawrzyk kritikoi ministrin gjerman të Mbrojtjes, Boris Pistorius, për deklaratat për kanalin gjerman ZDF, në të cilat ai deklaroi se “dera është e hapur” për hyrjen e Ukrainës në NATO, por “nuk është koha për të marrë vendime”.
“Pyetja është, kur do të jetë koha për këto vendime? Pesë, dhjetë apo tridhjetë vjet pas luftës?”, u shpreh polaku. “Nëse Gjermania nuk do të kishte llogaritur kohën siç po bën tani, nëse nuk do të ishte përpjekur të vononte hyrjen e Ukrainës në NATO, dhe nëse Ukraina do të ishte ftuar të anëtarësohej në Aleancë shumë vite më parë, sot nuk do të kishte luftë në Ukrainë”, shtoi Wawrzyk.
Ai përsëriti qëndrimin e Polonisë në favor të hyrjes së Ukrainës në NATO dhe akuzoi “vendet e Evropës Perëndimore, Francën dhe Gjermaninë” se janë “në përgjithësi gjithmonë kundër anëtarësimit të Ukrainës në Bashkimin Evropian ose NATO”.