Për posterin e kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçit kundër korrupsionit me gishtin e mesit, Sali Berisha tha se ata që vjedhin qytetarët, meritojnë jo gishtin, po shumë herë më tepër. I pyetur gjatë një konference për mediat rreth posterit në të cilin Këlliçi shfaqet duke i treguar “gishtin e mesit korrupsionit në Tiranë”, Berisha tha se ai vetë nëse do të kandidonte do të kishte bërë më shumë se aq.
“Sigurisht, ata që vjedhin qytetarët, meritojnë çdo formë diskreditimi. Çdo njeri duhet të marrë parasysh, një i ri ka imagjinatën dhe shprehjen e vet. Po të isha unë, ku e di ti ç’mund të zgjidhja“,-tha Berisha.
Reagimet e shumta për përmbajtjen e posterit, Berisha i cilësoi zhurmë elektorale, ndërsa kujtoi se kryeministri Rama ka përdorur fjalor aspak etik për zonjat e Parlamentit dhe “reagime nuk ka pasur.” Kreu i “Rithemelimit” bëri thirrje që të mos pranohet asnjë kandidat nëpër studio televizive nëse nuk pranojnë që të ballafaqohen me kundërshtarin.
“Njeriu që varu ballafaqimin në studio është Edi Rama. Atij nuk ia mban të ballafaqohet me Sali Berishën, se e di si del në atë ballafaqim. Do t’ia rreshtoj një nga një veprat e mëdha penale”,- deklaroi Berisha.
