Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar pas publikimit të një video-montazhi nga Kryeministri Edi Rama, kundër Lulzim Bashës. Në një reagim në mediat sociale, Paloka shkruan se Rama, të cilin e quan beun e Surrelit, nuk ka asnjë hall veç se të kënaqë shijet e veta dhe të oborrtarëve me shaka banale.
“A ka kryeministër normal që të dielën në darkë poston video të montuara për kundërshtarin politik? A ka njerëz që në moshën e Edi Ramës në mbrëmjen e shenjtë të pashkëve merren me video montazhe? A mundet që drejtuesi i një qeverie në kohën më të keqe për shtetasit e tij gjen kohën dhe poston video të sajuara?
Pa dyshim që një njeri normal në moshën e kryeministrit dhe aq me tepër një kryeministër nuk i bën këto as në kohë normale. Po beu i Surrelit nuk ka asnjë hall veç se të kënaqe shijet e veta dhe të oborrtarëve me shaka banale dhe sajesa pa kripë. Nga divani i ngrohtë i shtëpise mund të qeshësh me videomontazhe, por hallet e shqiptarëve duhen zgjidhur sa më shpejt. Ndaj boll bëre si gaztor se nuk je as në nivelin e Taulant Ballës me këtë lloj humori.”, shkruan Paloka.
Më herët për këtë video reagoi dhe Sekretari i Përgjithshëm, Gazment Bardhi, i cili e quajti postimin e Ramën si një turp.