Aplikimet për ndjekjen e praktikave të punës në administratë dhe institucionet e tjera publike do të vijojnë deri në mbyllje të muajit korrik. Autoritetet e arsimit sqarojnë se të gjithë të rinjtë që duan të kenë një eksperincë tre mujore pune në administratë dhe strukturat e tjera publike, duhet të aplikojnë online duke plotësuar formularin përkatës për të qenë pjesë e Programit Kombëtar të Praktikave të Punës deri në datën 31 korrik. Rihapja e këtij programi është një mundësi e mirë për të gjithë të rinjtë nga 21 deri në 26 vjeç, të cilët kanë përfunduar minimalisht ciklin e parë të studimeve “Bachelor”. Të drejtën për të ndjekur praktikën në këto struktura do të mund të fitojnë rreth 2 mijë të rinj. Pjesëmarrësit do të përfshihen në një përvojë pune, në ndërveprim me profesionistët në administratën publike, institucionet e tjera publike, njësitë e vetëqeverisjes vendore, dhe shoqëritë tregtare, me qëllim përfitimin e njohurive praktike, pasurimin e jetëshkrimit të tyre, zgjerimin e rrjetit të kontakteve, aftësimin e mëtejshëm për punën në grup, përshtatshmërinë me ambientin e punës, ndërmarrjen e iniciativave, etj. Janë 2 mijë vende praktike të profileve të ndryshme, për të cilat të rinj do të mund të aplikojnë.
Pas praktikave 3-mujore që do të zhvillohen mes datave 16 gusht -16 nëntor të këtij viti, rreth 200 praktikantë që do të kenë performancën më të mirë do t’u jepet mundësia e kontratës 1-vjeçare me institucionin ku kanë zhvilluar praktikën e punës.
Si të aplikoni?
Sikundër ka ndodhur edhe në fazat e mëparëshme, për të bërë aplikimin në këtë program të rinjtë që plotësojnë kushtet e përcaktuara duhet që të plotësojnë formularin përkatës në adresënhttp://praktika.arsimi.gov.al/ deri në datën 31 korrik. Por, para se të aplikoni ju duhet të kontrolloni me kujdes të gjitha profilet e kërkuara studimore nga secili institucion dhe qytetet respektive, ku do të zhvillohet praktika. Për çdo institucion do të gjeni të detajuar vendet vakante dhe profilet për zhvillimin e praktikës.
Ekspertët e arsimit rekomandojnë që të bëni kujdes, pasi vetëm një aplikim do të jetë i vlefshëm. Kështu, nëse nëse aplikoni më shumë se një herë, do të s’kualifikoheni nga programi. Përzgjedhja do të kryhet nga institucionet për të cilat është kryer aplikimi, bazuar në metodologjinë e Programit. Ndërkohë që pas mbylljes së aplikimeve vetëm fituesit e përzgjedhur nga çdo institucion do të lajmërohen nëpërmjet adresës elektronike.
Zhvillimi i praktikave të punës
Zhvillimi i praktikës së punës është pa pagesë dhe qëllimi mbetet përfitimi i një përvoje kualifikuese për zhvillimin e mëtejshëm të aftësive profesionale, akademike dhe personale. Qëllimi i Programit Kombëtar të Praktikave të Punës është përfitimi i një përvoje kualifikuese, që ndikon në zhvillimin e kompetencave profesionale, akademike dhe personale. Programi ju mundëson njohjen me institucionet e administratës shtetërore dhe institucione të tjera publike apo private.
Gjatë fazës së parë të këtij programi do të realizoni detyra dhe angazhime në institucionet përkatëse, bazuar në një plan pune 3-mujor, të drejtuar nga një mbikqyrës. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë të programit do të pajiseni me çertifikatë të lëshuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Departamenti i Administratës Publike.
Sipas të dhënave të deklaruara për aplikimet e zhvilluara më parë, bëhet e ditur se janë 3 mijë të rinj e të reja që kanë realizuar praktikën 3-mujore, nga të cilët rreth 1 mijë më të mirët kanë përfituar kontratë 1-vjeçare pune! “Të gjithë praktikantët që e përfundojnë praktikën me sukses pajisen me certifikatë lëshuar nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Deparamenti i Administratës Publike dhe periudha tremujore e praktikës njihet si përvojë pune nga Departamenti i Administratës Publike”, sqarojnë autoritetet e arsimit.