Policia Kufitare ka goditur një rast të tentativës për të kaluar kufirin në Rinas me dokumente të falsifikuara. Për rredhojë, janë vënë në pranga në flagrancë 2 të rinj.
Policia njofton:
Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, në vijim të kontrolleve të detajuara të dokumentacionit që paraqesin shtetasit që hyjnë dhe dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, kanë evidentuar dhe goditur një rast të tentativës për të kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, me dokumente false.
Në përfundim të veprimeve hetimore u arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasit:
K. K., 21 vjeç dhe S. C., 25 vjeç, të dy banues në Turqi.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të dokumentacionit të shtetasve K. K. dhe S. C., kanë dyshuar se këta shtetas nuk kishin paraqitur dokumentet e tyre të identifikimit. Gjatë kontrollit të detajuar rezultoi se dokumentet që ata kishin paraqitur ishin të falsifikuara.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
