Në një kohë që demokratët shpresonin se me vitin e ri do të ndizeshin shpresat për një bashkim të tyre në një parti, një lëvizje e beftë ka ardhur nga Enkelejd Alibeaj që aktualisht mban dhe vulën e partisë.
Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe Agron Shehaj sipas vendimit të Alibeaj nuk janë më pjesë e grupit Parlamentar të Partisë Demokratike duke nisur nga dita e nesërme, teksa parlamenti ende nuk është mbledhur në sesionin e ri parlamentar.
Mësohet se ky vendim i Alibeajt ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj hapave që grupimi i Berishës po bënte duke mbledhur firma për shkarkimin e tij si kryetar grupi dhe zgjedhjen e Ervin Salianjit.
Po kështu mësohet se mes nënshkruesve nuk janë as kreu i PD-së Sali Berisha dhe as deputetët e përjashtuar më parë nga grupi. Alibeaj pasi është vënë në dijeni të lëvizjeve që po ndodhnin brenda grupit ka njoftuar largimin e 4 deputetëve të PD, për të bërë të mundur prishjen e numrave që do të sillnin largimin e tij.